UP-ja fiton projektin „Climate Integrated Pathways for Podujeva (CLIPP)” në skemën Horizon Europe
Universiteti i Prishtinës është përzgjedhur për financim në thirrjen „P2R – Pathways2Resilience” në kuadër të programit Horizon Europe, me projektin „Climate Integrated Pathways for Podujeva (CLIPP)”.
Granti është i tipit financim kaskadë, që do të thotë se financimi jepet si nëngrant nga një projekt ekzistues i Horizon Europe. Donator është programi Horizon Europe / Pathways2Resilience (P2R).
Koordinator dhe menaxher i projektit është prof. dr. Kadri Sylejmani nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa partner i konsorciumit është Komuna e Podujevës.
Projekti fokusohet në zhvillimin e mënyrave të efektshme të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike për Komunën e Podujevës, nëpërmjet vlerësimit të qëndrueshmërisë dhe aftësisë përshtatëse, hartimit të strategjisë, planit të veprimit dhe planit të investimeve, me synimin rritjen e qëndrueshmërisë lokale dhe mbrojtjen e komuniteteve.
Një element i rëndësishëm i projektit është përdorimi i teknikave nga inteligjenca artificiale dhe mjeteve digjitale inovative. Në kuadër të projektit do të organizohen aktivitete (hackathon-e) tematike me studentë dhe nxënës të shkollave të mesme, do të zhvillohen platforma digjitale për bashkëkrijim me qytetarët dhe ekspertët, si dhe do të aplikohen analiza të avancuara të të dhënave për të mbështetur vendimmarrjen e Komunës së Podujevës në fushën e përshtatjes klimatike.
Projekti pritet të nisë më 1 janar 2026 dhe të përfundojë më 30 qershor 2027, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim mes akademisë, institucioneve lokale dhe komunitetit në Podujevë.