UP-ja e nderon me titullin “Doctor Honoris Causa”, Sir Michael Wood
Në një ceremoni solemne, të organizuar nga Universiteti i Prishtinës, i është dhënë titulli “Doktor Nderi”, shkëlqesisë së tij, Sir Michael Wood, hulumtues i lartë, avokat i mbretit dhe ish-anëtar i Komisionit për të Drejtën Ndërkombëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kjo ceremoni u organizua një ditë pas përvjetorit të 53-të të UP-së dhe në vigjilje të shënimit të 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Hapjen e kësaj ceremonie e bëri rektori i UP-së, prof. dr. Qerim Qerimi, me fjalët: “Sot kam nderin e veçantë dhe privilegjin për të mikpritur dhe prezantuar një personalitet, i cili jetën e tij ia ka dedikuar synimit që drejtësia të arrihet, jo vetëm në rastin e Kosovës, por tek të gjithë”.
Rektori Qerimi, i cili edhe e dhuroi këtë diplomë nderi, tha që Sir Michael Wood është figurë udhëheqëse në të drejtën ndërkombëtare.
“Sot dua ta veçoj kontributin e tij në mbrojtjen e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Si avokat kryesor në rastin e Kosovës për Përputhshmërinë me Ligjin Ndërkombëtar të Deklaratës së Njëanshme të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, përvoja e tij dhe dija ligjore, e shprehur në këtë rast, ka rezultuar me një vendim të favorshëm për popullin e Kosovës. Puna dhe përkushtimi i tij i palëkundur për drejtësi na kanë dhënë një shembull të ndritshëm që duhet ta ndjekë secili prej nesh”, theksoi rektori.
Rektori shtoi se Wood na ka treguar se ndryshimi vjen përmes pasionit, studimit dhe angazhimit dhe në fund, përmes një gjykate.

E pranishme në këtë ceremoni të ndarjes së titullit të nderit për Sir Michael Wood ishte edhe presidentja, shkëlqesia e saj, znj. Vjosa Osmani. Ajo solli në mendje përfaqësimin dinjitoz të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe rikthimin e Wood në Kosovë, si personalitet nderi.
“Sot, Sir Michael Wood kthehet krenar në vendin, të cilit i shërbeu profesionalisht në një moment të veçantë historie, duke u shndërruar edhe vetë në pjesë të rëndësishme të po kësaj historie. Po kthehet këtu për të marrë mirënjohjen e Universitetit të Prishtinës. Përtej kësaj mirënjohjeje, Sir Michael Wood kthehet në Kosovë edhe për ta ndierë se sa e freskët është kujtesa e qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj, se sa e madhe është mirënjohja për të, e sa i thellë është falënderimi i qytetarëve tanë për atë që Sir Michael Wood dhe profesionistët e tjerë nga vendet e ndryshme të botës kanë bërë në përkrahje të Kosovës”, tha Presidentja.

E shpërblimin me titullin e nderit nga UP-ja, laureati Sir Michael Wood e konsideroi si privilegj të veçantë. Ai me të pranishmit ndau përvojën në përfshirjen e tij në momente historike për popullin e Kosovës, si dhe për kontributin e UP-së në zhvillim të shtetit.
"Ishte privilegj i madh të paraqitesha para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në emër të Kosovës dhe jam mirënjohës që Kosova më ka ftuar serish dhe sot jam i nderuar ta pranoj këtë çmim të lartë nga Universiteti i Prishtinës”, tha Wood.
Ai tregoi për përvojën e tij në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për rastin e Kosovës gjatë viteve 2008-2010 dhe për ekipin që e ka shoqëruar atëherë nga Kosova, në mesin e të cilëve ishin edhe rektori, prof. dr. Qerimi dhe presidentja Osmani, të dy në funksione të tjera atëbotë.
Ndër të tjerash, Wood shtoi se UP-ja ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm Kosovën, sidomos në lidhje me pavarësinë e saj.

Për pranimin e titullit të nderit nga z. Wood, foli edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, e cila theksoi angazhimin në avancimin e paqes dhe drejtësisë përmes të drejtës ndërkombëtare dhe potencoi rolin kryesor që Wood ka pasur në ngjarjen që simbolizon triumfin e drejtësisë – atë të shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Në cilësinë e laudatorit, të pranishmëve iu drejtua prof. dr. Avni Puka, dekan i Fakultetit Juridik. Ai shpalosi karrierën profesionale të laureatit, kontributet shkencore dhe rezultatet e jashtëzakonshme të Wood në sferën e drejtësisë ndërkombëtare. Puka theksoi se “Sir Michael Wood ka një vend të veçantë në historinë e Republikës se Kosovës, prandaj UP-ja dhe populli kosovar e nderon kontributin e tij dhe respekton përherë veprën e tij".
Senati i UP-së ia dha titullin Doctor Honoris Causa Sir Michael Wood me motivacion: Për kontributin e dhënë për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë si dhe për avancimin e paqes dhe drejtësisë përmes së drejtës ndërkombëtare.