UP-ja dhe Ministria e Infrastrukturës dakordohen për nisjen e bashkëpunimit

Administrator Administrator 1 nëntor 2018 Arkivuar

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga prorektori për mësim dhe çështje të studentëve, prof. dr. Hysen Bytyqi, sot, e ka pritur në takim ministrin e Infrastrukturës në Republikën e Kosovës, z. Pal Lekaj.

Tema e këtij takimi ishte identifikimi i mundësive për thellimin e bashkëpunimit reciprok ndërmjet UP-së dhe Ministrisë se Infrastrukturës, i cili do të iniciohej me nënshkrimin e një memorandumi të bashkëpunimit.

Rektori Dema e falënderoi ministrin Lekaj për vizitën, teksa e informoi lidhur me progresin që UP-ja e ka bërë së fundi, duke potencuar që Universiteti, qe nga paslufta, nuk ka qenë asnjëherë në gjendje më të mirë seç është tani.
“Ideja jonë është që ta transformojmë UP-në nga një universitet teorik në universitet praktik për studentët tanë. Ne synojmë të prodhojmë studentë inovativë dhe liderë të së ardhmes dhe e gjithë kjo nuk mund të arrihet pa bashkëpunëtorë dhe partnerë të mirë, të cilët kanë ndihmuar në këtë proces, ashtu siç tani do të fillojmë bashkëpunimin edhe me Ministrinë tuaj,” ka thënë Dema.

Ndërkaq, ministri Lekaj e falënderoi rektorin Dema për gatishmërinë e shprehur për nisjen e këtij bashkëpunimi. Lekaj e përgëzoi rektorin Dema për progresin dhe reformat e bëra në Universitetin e Prishtinës, teksa potencoi që ministria është e përkushtuar që universiteti ta ketë infrastrukturën e nevojshme për mirëfunksionimin e tij.

Rektori Dema dhe ministri Lekaj u dakorduan që të iniciohet përpilimi i një memorandumi të bashkëpunimit, nga i cili do të përfitonin punë praktike studentët e UP-së, përkatësisht studentët nga fakultetet teknike, si dhe do të mundësohej përmirësimi i infrastrukturës së universitetit.