UP-ja dhe CSR-i nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për ofrimin e mentorëve për kontribuim në komunitet

Administrator Administrator 9 korrik 2019 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar sot memorandum mirëkuptimi me Rrjetin e Përgjegjësisë Sociale të Korporatës (CSR), për fuqizimin e të rinjve për të kontribuar në udhëzimin e përfituesve të programeve të Programit të Zhvillimit të Adoleshentëve dhe Pjesëmarrjes (ADAP) të UNICEF-it, për të arritur potencialin e tyre në zbatimin e këtyre projekteve në komunitete të ndryshme.

Arritja e kësaj marrëveshjeje, sipas rektorit të Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr Marjan Dema, është në përputhje me misionin e UP-së, që përveç mësimdhënies, t’i kontribuojë edhe komunitetit me punën e tij.
“Universiteti i Prishtinës e ka mision mësimdhënien, mësimnxënien, hulumtimet shkencore dhe punën artistike. Të gjitha këto i zbatojmë mbi bazën e vlerave themelore të arsimit të lartë, ku njëra ndër këto vlera është përgjegjësia ndaj komunitetit”, tha rektori Dema.
Për gatishmërinë për bashkëpunim, përfaqësuesit e CSR-së falënderuan Universitetin e Prishtinës.
“Jemi mirënjohës për gatishmërinë tuaj për bashkëpunim për rritjen e skemës së mentorimit. Ky projekt ka për qëllim kontribuuimin dhe rritjen e kapaciteteve për pjesëmarrje në fuqinë punëtore dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje, e këtë e kemi ideuar përmes mentorimit”, tha Linda Tahiri- Rukiqi, drejtoreshe ekzekutive e CSR-it.

Me anë të kësaj marrëveshjeje, profesionistët e rinj vullnetarë do të përfitojnë nga ekspozimi ndaj një numri korporatash të mëdha që UNICEF-i ka bashkëpunim me to, duke mundësuar në mes të tjerash shkëmbim të përvojave dhe ideve.