UP-ja, destinacion për vijimin e studimeve

Administrator Administrator 9 korrik 2019 Arkivuar

Janë bërë vetëm pak ditë prej kur është hapur afati për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin e parë të studimeve themelore, për vitin akademik 2019/2020 dhe mijëra studentë pretendojnë të vijojnë studimet në Universitetin e Prishtinës.

Blendina Veliqi, njëra nga aplikantet në Departamentin e Gazetarisë në UP, thotë ta ketë zgjedhur këtë universitet për shkak të perspektivës që ai ofron.

Gazetarinë e kam zgjedhur sepse më ka pëlqyer gjithmonë, ndërsa Universitetin e Prishtinës e kam përzgjedhur për shkak se ka perspektivë më të mirë sesa universitetet tjera”, tha ajo.

Derisa i dorëzonte dokumentet në Departamentin e Punës Sociale në Fakultetin Filozofik, Erblina Kerolli, thotë se UP-në e ka zgjedhur për një të ardhme më të mirë.

Aktualisht jam studente në një kolegj privat, por kam vendosur të aplikoj në Universitetin e Prishtinës për një të ardhme më të mirë”, thotë Kerolli.

Sipas prorektorit për mësim dhe çështje për studentë, prof. dr. Hysen Bytyqi, studentët janë të interesuar më shumë për drejtimet, ku mundësitë për punësim janë më të mëdha.

“Interesimi i studentëve është shumë i madh, sidomos në drejtimet e Mjekësisë, Programin Fillor në Fakultetin e Edukimit, në Psikologji dhe në gjuhët e huaja në Fakultetin e Filologjisë”, tha prorektori.

Procesi i aplikimit po vazhdon pa ndonjë parregullsi. Deri më tani kanë aplikuar mbi 5000 maturantë. Për informata rreth kushteve të konkursit, klikoni linkun në vijim: https://uni-pr.edu/uploads/migrated/chameleon/292f4947-4b24-4177-9ad2-5a3fcb4dc075.pdf