Universiteti Veror i Prishtinës - përvojë e paharruar studentore

Administrator Administrator 27 maj 2019 Arkivuar

Tash e 18 vjet, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është nikoqir i Universitetit Veror, i cili mbledh studentë nga e gjithë bota.

Për të treguar mundësitë që u ofron ky universitet, Aldona Jaku, Jana Medvidova dhe Fatlind Azizi rrëfejnë përjetimet e tyre nga edicioni i kaluar.

Aldona kishte ndjekur kursin "Intermediate Microeconomic Theory", nga i cili thotë të ketë mësuar shumë.
“Nga ky universitet, mbi të gjitha, kam fituar një eksperiencë të pakrahasueshme dhe fantastike, duke filluar që nga dijet rreth një teme që më nevojitet në lidhje me studimet që po i ndjek, te certifikimi, e deri te krijimi i miqësive të reja dhe shkëmbimi i kulturave dhe ideve mes studentëve ose pedagogëve nga rajoni, Evropa dhe përtej kontinentit”, rrëfen ajo.Jana Medvidova, studente nga Republika Çeke, thotë që UVP-ja e ka njoftuar me kulturën kosovare.
“Universiteti më mësoi shumë për historinë e Kosovës, mentalitetin dhe për njerëzit e saj. Më mundësoi të shijoj kuzhinën mahnitëse. Nuk është vetëm një kujtim i ngrohtë, që universiteti më la pas. Kurset e ofruara ishin kurse të cilësisë së lartë, të udhëhequr nga pedagogë nga e gjithë bota”, thotë ajo.

Përveç kurseve, Universiteti Veror ofron edhe shëtitje në vende të ndryshme të Kosovës, shëtitje të cilat për pjesëmarrësit do të mbeten të paharruara.
“Unë ende kujtoj udhëtimin për në Prekaz dhe në Ujëvarë të Mirushës. Një autobus i mbushur me studentë shqiptarë, të cilët ishin edhe këngëtarë të talentuar. Mikrofoni i shoferit kalonte nga një student në tjetrin, shumica e të cilëve këndonin me pasion për Kosovën”, rrëfen Jana.Edhe për studentin e UP-së, Fatlind Azizi, Universiteti Veror është një mundësi e mirë për studentë.
“Ky universitet është ajka e UP-së. Këtë e them sepse më ka ofruar një përvojë të paharruar”, tha Fatlindi. 

Pjesëmarrësit njëzëri ftojnë studentët të mos hezitojnë të bëhen pjesë e Universitetit Veror të Prishtinës.

Ndërkaq, edicioni i 19 i këtij universiteti do të mbahet më 8-19 korrik të vitit 2019.