Universiteti Ryukyus nga Japonia, partneri më i ri ndërkombëtar i UP-së
Sot, përmes një ceremonie virtuale, u bë nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Ryukyus nga Japonia.
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i UP-së, Qerim Qerimi, dhe presidenti i Universitetit Ryukyus, Mutsumi Nishida, ndërkaq, pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe ambasadori i Kosovës në Japoni, z. Sabri Kiçmari, prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, Arta Basha-Jakupi, prorektori i Universitetit Ryukyus Masahide Ishihara dhe profesori Till Weber.
Rektori Qerimi tha se ky partneritet ofron mundësi të reja për studentët, hulumtuesit dhe stafin e të dyja institucioneve. “Vendet tona mund të jenë gjeografikisht të largëta, por ne kemi shumë gjëra të përbashkëta. Shteti ynë ka pasur shumë lidhje të mira me Japoninë dhe institucionet e saj dhe është e mrekullueshme ta zgjerojmë këtë partneritet duke krijuar lidhje të forta në fushën e arsimit dhe kulturës," theksoi rektori.
Në anën tjetër, presidenti Nishida u shpreh se bashkëpunimi mes universiteteve në fushën e arsimit dhe kërkimit do të ndihmojë studentët që, ndër të tjerash, të njohin më tepër kulturën dhe historinë e të dyja vendeve.
Ambasadori Kiçmari theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla në nxitjen e partneriteteve globale dhe në lehtësimin e shkëmbimit të njohurive dhe ideve dhe u shpreh i lumtur për arritjen e këtij bashkëpunimi.
Ndërkaq, gjatë takimit, prorektorja Basha-Jakupi shprehu entuziazmin e saj për partneritetin e krijuar. Teksa prezantoi UP-në, ajo tha se është e lumtur që nga tani e tutje do të mund të prezantojë edhe Universitetin Ryukyus si partner të UP-së, në të cilin studentët dhe stafi mund të realizojnë shkëmbime.
Memorandumi i nënshkruar parasheh bashkëpunim ndërmjet të dyja universiteteve në shkëmbimin e studentëve, stafit akademik dhe administrativ, shkëmbim të materialeve akademike, publikimeve e informatave, organizim të seminareve, konferencave e simpoziumeve, realizimin e punës shkencore të përbashkët si dhe forma të tjera të bashkëpunimit akademik.
