Universiteti i Prishtinës zgjedhja e parë e maturantëve: Vazhdojnë provimet pranuese nëpër fakultete

Universiteti i Prishtinës zgjedhja e parë e maturantëve: Vazhdojnë provimet pranuese nëpër fakultete

Administrator Administrator 11 korrik 2025 Arkivuar

Në disa njësi akademike të Universitetit të Prishtinës, edhe sot po zhvillohen provimet pranuese për gjeneratën e re të studentëve.

Edhe këtë vit, ashtu si çdo herë më parë, universiteti më i madh dhe më i rëndësishëm në vend mbetet zgjedhja e parë për shumicën e maturantëve nga Kosova, si dhe për shumë të rinj shqiptarë nga vendet fqinje.

Ashtu si një ditë më parë, edhe sot prorektorët vizituan studentët e ardhshëm që po i nënshtrohen testeve pranuese, me qëllim t’i inkurajojnë në këtë hap të rëndësishëm drejt të ardhmes së tyre akademike.

Prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik dhe privat, prof. Albana Berisha-Qehaja dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, vizitat nëpër ambientet ku po mbahen testimet i nisën në Fakultetin e Filologjisë për të vazhduar pastaj edhe në Fakultetin e Edukimit dhe në Fakultetin e Ekonomisë. 

Tri prorektoret u uruan suksese të gjithë kandidatëve për pranim në Universitetin e Prishtinës, duke i inkurajuar që të përqendrohen pa stres, pasi procesi do të jetë i drejtë, transparent dhe do të përzgjidhen më të merituarit.

Provimet pranuese për studimet bachelor do të vazhdojnë edhe të shtunën, sipas kalendarit të përcaktuar akademik. 

Këtë vit, Universiteti i Prishtinës ka planifikuar të pranojë 5,723 studentë të rregullt në programet e nivelit bachelor.