Universiteti i Prishtinës themelon Shkollën Dimërore “Warm UP” dhe ju fton të bëheni pjesë e saj

Universiteti i Prishtinës themelon Shkollën Dimërore “Warm UP” dhe ju fton të bëheni pjesë e saj

Administrator Administrator 22 shkurt 2026

Për herë të parë Universiteti i Prishtinës themelon Shkollën Dimërore “Warm UP”, një nismë që synohet të bëhet tradicionale dhe pjesë e kalendarit të rregullt akademik.

Edicioni i parë i Shkollës Dimërore WARM UP – Winter Academy of Research Methods at the University of Prishtina do të zhvillohet nga 25 deri më 27 shkurt 2026 me ligjërata dhe punëtori të përbashkëta të profesorëve të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Luksemburgut.

Kjo shkollë synon avancimin e studimeve të doktoratës dhe kërkimeve shkencore në Universitetin e Prishtinës, derisa mëton të bëhet një pikëtakim akademik i qëndrueshëm i studiuesve me përvojë dhe atyre që sapo kanë nisur karrierën.

Gjatë sesioneve të Shkollës Dimërore „Warm UP” do të diskutohet e ligjërohet rreth praktikave më të mira të dizajnimit të programeve të doktoratës, sfidave të këtyre studimeve dhe financimit të kërkimit shkencor, orientimit të programeve të doktoratës për t’iu përgjigjur sfidave shoqërore, politikave publike dhe industrisë. Gjithashtu, do të ketë edhe një sesion që do t’u kushtohet programeve të doktoratës në UP.

Do të organizohet edhe një kolokium doktoral me studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, si dhe me studentë të FIEK-ut që kanë qëndruar në Qendrën SnT të Universitetit të Luksemburgut dhe do të prezantohet puna e tyre e bërë atje.

Këtë vit, shkolla Dimërore „Warm UP” mbështetet nga Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (Lux Dev) dhe Ambasada e Mbretërisë së Luksemburgut në Kosovë.

Në vegëzën në vijim mund të gjeni agjendën e aktiviteteve për Shkollën Dimërore „Warm UP”.

Agjenda e „Warm UP”

Ju mirëpresim!