Universiteti i Prishtinës shpall thirrje publike plotësuese për profesorë dhe asistentë të angazhuar
Në këtë thirrje publike plotësuese, Universiteti i Prishtinës po kërkon angazhimin e profesorëve dhe asistentëve për ligjërata dhe ushtrime, në bazë të nevojave të njësive akademike për vitin 2025/’26.
Profesorët dhe asistentët e përzgjedhur mund të angazhohen nga fakultetet e ndryshme të UP-së më së shumti për dy semestra të këtij viti, ndërsa në rast të vlerësimit pozitiv për ta, ky angazhim mund të vazhdohet për më së shumti dy vjet tjerë.
Një profesor i angazhuar duhet të ketë gradën shkencore master dhe të paktën një punim shkencor në revista ndërkombëtare. Kandidatët me doktoratë kanë përparësi. Asistentët e angazhuar duhet t’i kenë të përfunduara studimet master dhe notën mesatare jo më të vogël se tetë në të dy nivelet e studimit.
Kandidatët për pozitat e profesorëve dhe asistentëve të angazhuar, mund të aplikojnë në mënyrë elektronike në vegëzën: https://stafiakademik.uni-pr.edu nga 2 korriku deri më 11 korrik 2025.
Detajet për kriteret dhe dokumentacionin e kërkuar për angazhim në UP, mund t’i lexoni në këtë vegëz.
Universiteti i Prishtinës është universiteti më i vjetër, më i madh e më i suksesshëm i Kosovës dhe i rendituri më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe të hapësirave të Ballkanit Perëndimor ku jetojnë shqiptarët.