Universiteti i Prishtinës pjesë e librit të rekordeve “Guinness”

Administrator Administrator 10 maj 2019 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka hyrë sot në librin “Guinness” falë rekordit të arritur nga zhonglerët Agim Agushi dhe Bujar Ajeti, në disiplinën “Mbajtje e topit me kokë në çifte”.

Ngjarja e organizuar nga Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit i UP-së, solli magjinë e topit, ku zhonglerët arritën t’a mbajnë atë në kokë për 35 minuta, duke thyer rekordin e deritanishëm prej 30 minuta e 11 sekonda. 

E për këtë sukses, Agim Agushi ndjehet i lumtur pasi që arriti ta fus në librin e rekordeve universitetin ku dikur studioi.
“Është kënaqësia ime, pasi që kur kam qenë student dhe kur kam vazhduar të merrem me sportin e zhonglimit, kam thënë se Universitetit të Prishtinës do t’i sjelli një rekord të librit të Genisit dhe UP-në do t’a fusim në librin e këtyre rekordeve”, tha Agushi.

Të njëjtin emocion e pati edhe zhongleri tjetër, Bujar Ajeti.
“Të hysh në librin e rekordeve Guinness është e paparashikueshme dhe një ndjenjë e paharruar”, tha Buajr Ajeti.
Nikoqiri i këtij eventi, rektori prof. dr. Marjan Dema, u shpreh krenar për suksesin e zhonglerëve.
“Jemi krenar që kësaj radhe jemi organizator të një gare ndërkombëtare për futjen e UP-së në librin e rekordeve “Guinness”, për çka falënderoj zhonglerët, Agim Agushi dhe Buajr Ajeti, të cilët erdhën me këtë propozim dhe ne me kënaqësi u bëmë pjesë e këtij organizimi”, tha Dema.

E dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe i Sportit, prof. asoc. dr. Musa Selimi, tha se një ndër arsyet pse po e organizojmë këtë garë është që të mbështesim talentët që dikur kanë qenë pjesë e UP-së. “Arsyeja se pse kemi pranuar që të jemi organizator të këtij eventi ka qenë lidhja e fuqishme me studentët tanë të cilët kanë mbaruar studimet, e Agimi ka qenë njëri nga këta studentë”, tregoi Dekani.

Gjatë kësaj ceremonie, rektori Dema shpërbleu me mirënjohje, ekipin e vajzave volejbolliste të UP-së, të cilat fituan vendin e parë në garën “Euro Milano 2019”, në mesin e 28 shteteve pjesëmarrëse.