Universiteti i Prishtinës paraqet kërkesë për rritje të buxhetit për vitin 2024
Universiteti i Prishtinës, sot ka prezantuar kërkesat e tyre për ndarje buxhetore për vitin 2024 para Kuvendit të Kosovës në një takim me Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.
Përfaqësuesit e Universitetit, përfshirë kryesuesin e Këshillit z.Sahiti, Prorektorën për Financa znj.Breznica-Selmani dhe Drejtorin për Financa z.Hajdari, kanë theksuar se UP ka nevojë për një buxhet që dërgon drejt zhvillimit. Ata kanë paraqitur kërkesat e tyre për një shtesë buxhetore prej 10 milionë eurosh, me qëllim që të fokusohen në zhvillim.
Gjithashtu, në takim u theksua se me një performancë financiare afër 95% në vitin 2023, UP ka shënuar një rritje të dukshme në disa fusha:
- Janë ndarë bursa për studentët me vlerë 10% më të madhe se herët e kaluara
- Bursa për studentët master dhe doktoratë
- Bursa për studentët me aftësi të kufizuara
- Bursë vjetore për studentë ndërkombëtar
- Po ashtu, financimi për projekte shkencore është rritur nga 8,000 në 50,000 për njësi akademike.
Universiteti gjithashtu, ka angazhuar një përpjekje të vazhdueshme për kontrollin financiar, duke punësuar pikat kyçe që ushtrojnë kontroll në Administratë si: Funksionimi i Njësisë së Auditimit të Brendshëm dhe funksionimi i Departamentit të Zyrës Ligjore.
Po ashtu, me rritjen e buxhetit planifikohen bursa vjetore për studentët në programet që vazhdimisht po bie interesimi, si: Bujqësi dhe Veterinari, Gjuhë Shqipe, Matematikë etj.
Megjithatë, UP theksoi se buxheti aktual nuk plotëson nevojat e tyre për investime kapitale, digjitalizim, shkëmbim të stafit akademik dhe studentëve, salla sportive dinjitoze, biblioteka të hapura dhe të mbyllura, salla konferencash, dhe parqe për studentë. Prandaj, UP pret që buxheti të ketë ndryshime, në mënyrë që fokusi përfundimisht të kthehet nga zhvillimi.