Universiteti i Prishtinës organizon programin „Train-the-Trainer” për këshillimin dhe ndërmjetësimin në tregun e punës
Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me Institutin për Shkenca të Aplikuara të Këshillimit (INfaBW) nga Gjermania, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes GIZ Kosova, ka organizuar me sukses programin intensiv „Train-the-Trainer Programme for Job Placement Counsellors”, i cili u zhvillua nga 16 deri më 20 dhjetor 2025 në ambientet e Universitetit të Prishtinës.
Programi është pjesë e bashkëpunimit institucional të formalizuar nëpërmjet marrëveshjes së mirëkuptimit (MoU) ndërmjet partnerëve dhe synon ndërtimin e kapaciteteve profesionale në fushën e këshillimit për punësim, ndërmjetësimit në tregun e punës dhe shërbimeve aktive të punësimit, në përputhje me nevojat e tregut të punës në Kosovë dhe standardet evropiane.
Në ceremoninë hapëse, prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore në Universitetin e Prishtinës, prof. asoc. Majlinda Gjelaj, theksoi rëndësinë strategjike të këtij programi për rolin shoqëror të universitetit:
“Universiteti i Prishtinës po e forcon vazhdimisht lidhjen ndërmjet arsimit të lartë dhe tregut të punës. Ky program është dëshmi konkrete e angazhimit tonë për të ndërtuar kapacitete profesionale që ndikojnë drejtpërdrejt në punësueshmëri, cilësi të shërbimeve publike dhe zhvillim të qëndrueshëm institucional”, tha prorektorja Gjelaj.
Ajo shtoi se përfshirja e stafit akademik dhe profesionistëve nga fusha të ndryshme e bën këtë program një platformë të rëndësishme për transferim të njohurive dhe praktikave të mira ndërkombëtare.
D.sc. Vjosa Mullatahiri, menaxhere e Komponentës Programore në Fushën e Politikave dhe Masave në Tregun e Punës, në kuadër të projektit „Fit for Jobs II” vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional si faktor kyç për suksesin e programit:
“Programi ,Train-the-Trainer’ është zhvilluar duke u bazuar në nevojat e Agjensisë së Punësimit në Republikën e Kosovës, për të ngritur kapacitetet e zyrtarëve të punësimit. Programi synon të fuqizojë profesionistë të fushës për të siguruar që ky program në të ardhmen do të ofrohet për zyrtarët e punësimit dhe të gjithë studentët tjerë që janë të interesuar të punojnë në fushën e zhvillimit të burimeve njerëzore. Partneriteti me Universitetin e Prishtinës siguron që këto kapacitete të ndërtohen mbi bazë akademike dhe profesionale të qëndrueshme”, deklaroi MUllatahiri.
Përfaqësuesi i INfaBW-së dhe ligjëruesi kryesor i programit, prof. Dr. Michael Scharpf, nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara për Studime të Punës, theksoi dimensionin evropian të programit.
“Ky trajnim bazohet në qasje bashkëkohore të shkencave të këshillimit, menaxhimit të rasteve dhe ndërmjetësimit në punësim. Qëllimi ynë është të ndërtojmë ura funksionale mes teorisë, praktikës dhe politikave të tregut të punës”, tha profesori Scharpf.
Nga radhët e pjesëmarrësve, prof. dr. Njomza Lullaku nga Departamenti i Punës Sociale në Universitetin e Prishtinës, vlerësoi përmbajtjen e programit si tejet të rëndësishme.
“Programi ka ofruar një kombinim të balancuar ndërmjet qasjeve teorike dhe ushtrimeve praktike, duke kontribuuar drejtpërdrejt në avancimin e kompetencave profesionale të pjesëmarrësve”, tha profesoresha Lullaku.
Ndërkaq, përfaqësues nga Departamenti i Marketingut në Universitetin e Prishtinës theksuan rëndësinë e dimensionit të komunikimit dhe ndërmjetësimit me punëdhënësit në kuadër të shërbimeve të punësimit.
Dr. Granit Baca, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, nënvizoi rëndësinë e qasjes ndërdisiplinare të programit:
“Përfshirja e temave si menaxhimi i rasteve, etika në këshillim, marketingu në këshillim dhe menaxhimi i rrjeteve, e bën këtë program jashtëzakonisht të vlefshëm për profesionistët që veprojnë në ndërfaqen mes arsimit dhe tregut të punës”, tha dr. Baca.
Programi pesëditor përfshiu sesione intensive mbi shkencat e këshillimit, modelet e kërkimit të punës dhe përputhjes me tregun, menaxhimin e rasteve, diagnostikimin profesional, aspektet etike, si dhe ushtrime didaktike praktike (micro-counselling). Trajnimi u zhvillua në gjuhën shqipe dhe gjermane, me përkthim simultan.
Në program morën pjesë 15 profesionistë dhe akademikë nga Universiteti i Prishtinës, universitete të tjera, institucione publike, organizata ndërkombëtare dhe nga shoqëria civile, duke e bërë këtë trajnim një hapësirë të rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe ndërtim rrjetesh profesionale.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të një programi të certifikuar dhe të qëndrueshëm për këshilluesit e punësimit dhe ndërmjetësimit në tregun e punës, i cili do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026 përmes sesioneve online dhe vlerësimit përfundimtar.
Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me institucionet publike, partnerët ndërkombëtarë dhe tregun e punës, duke e parë këtë program si një investim strategjik në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe në përmirësimin e shërbimeve të punësimit në Kosovë.