Universiteti i Prishtinës nënshkruan Marrëveshje Mirëkuptimi me Universitetin e Westminster në Londër
Gjatë një vizite zyrtare në Londër, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu dhe Prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbime Akademike, Prof. Rozafa Basha vizituan University of Westminster, ku u pritën nga dr. Greg Aasen nga Shkolla e Shkencave Sociale.
Në kuadër të kësaj vizite, u nënshkrua edhe një Marrëveshje Mirëkuptimi ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Westminster. Përmes kësaj marrëveshjeje synohet që të dy institucionet të zhvillojnë iniciativa të përbashkëta në fusha si bashkëpunimi akademik dhe kërkimor — veçanërisht në zgjidhjen e konflikteve, diplomaci dhe fushat e përafërta — si dhe mobiliteti i personelit akademik dhe studentëve përmes shkëmbimeve, mësimdhënies së përbashkët dhe vizitave kërkimore. Po ashtu, marrëveshja parasheh edhe kërkimet dhe zhvillimin e mundësive për programe të reja, si dhe krijimin e formateve të përbashkëta të shkollave verore.
Marrëveshja, pasqyron angazhimin e përbashkët të të dy universiteteve për të thelluar bashkëpunimin akademik dhe për të nxitur ndërkombëtarizimin cilësor.