Universiteti i Prishtinës nënshkruan marrëveshje BASHKËPUNIMI me Zyrën Kombëtare të Auditimit
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema vizitoi sot zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, z. Besnik Osmani.
Kjo vizitë u realizua me qellim të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të institucioneve të lartpërmendura, me anë të së cilës parashihet punë praktike e studentëve të nivelit master të Universitetit të Prishtinës në Zyrën Kombëtare të Auditimit, ndihmesë profesionale dhe akademike për ZKA-në nga ana e UP-së, bashkëpunim në organizimin e ngjarjeve dhe diskutimeve publike për raportet e auditimit dhe bashkëpunime të tjera relevante në mes të dyja palëve.

Me këtë rast, rektori Dema tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje të bashkëpunimit me Zyrën Kombëtare të Auditimit është një akt shumë i rëndësishëm për UP-në, meqë me këtë hap do përfitojnë më së shumti studentët tanë.
Dema në këtë takim foli edhe për punën që ky menaxhment ka bërë, duke krijuar standarde transparente në UP, në mënyrë që të krijohet një ambient edhe më cilësor për studim.
Në anën tjetër, lidhur me marrëveshjen, Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani tha se e vlerëson lartë bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës dhe se ky bashkëpunim profesionalo-akademik është shumë i rëndësishëm për Zyrën Kombëtare të Auditimit. Ai më tej shtoi se studentët e Universitetit të Prishtinës do të përfitojnë shumë duke i zbatuar njohuritë e fituara nga studimet në mënyre praktike në institucionin tonë.
Të dyja palët shprehen vullnetin e tyre që të fillojnë sa më parë me konkretizimin e projekteve që parasheh kjo marrëveshje e bashkëpunimit.