Universiteti i Prishtinës në një partneritet të zgjeruar me universitetet japoneze
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, z. Keisuke Yamanaka, të shoqëruar nga z. Arbër Myftari, këshilltar i lartë për çështje politike dhe të përgjithshme dhe sekretariat, u takuan për të diskutuar bashkëpunimin dhe shtimin e partneriteteve të reja në arsimin e lartë mes universiteteve të dy vendeve.
Gjatë takimit, rektori Qerimi theksoi rëndësinë e zgjerimit të partneritetit me Japoninë dhe mbështetjen e kurseve aktuale në shkencë, inxhinieri kompjuterike, duke e bërë realitetin japonez më autentik në Kosovë, gjë që arrihet duke synuar promovimin e bashkëpunimit në arsimin e lartë.
Ndërsa z. Keisuke Yamanaka, i ngarkuar me punë i Ambasadës Japoneze në Kosovë, theksoi përkushtimin e tij për rritjen e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës dhe universitetet japoneze të cilat synojnë të promovojnë zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore, seminare dhe programe shkëmbimi.
Në vazhdim të kësaj bisede, rektori Qerimi nënvizoi se jo vetëm studentët japonezë e kanë vizituar Kosovën për kërkime dhe kurse verore, por edhe profesorët japonezë kanë mbajtur ligjerata për lidership dhe teknologji. “Kur mendoni se sa e rëndësishme është teknologjia sot – edhe pas Pandemisë Covid-19 – kjo ka qenë jashtëzakonisht e dobishme për universitetin”, theksoi rektori Qerimi. Për më tepër, për shkak se Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit - TIK - në Kosovë është një fushë me potencial të ndritshëm, ka pasur një rritje të numrit të vajzave dhe grave studente që studiojnë në këtë fushë, veçanërisht në krahasim me rajonin. Informacioni, teknologjia dhe TIK në përgjithësi janë pjesë e së ardhmes së Kosovës, përfundoi rektori.
Fjalët e fundit u bënë nga rektori Qerimi dhe z. Keisuke Yamanaka, i ngarkuar me punë në Ambasadën Japoneze në Kosovë, të cilët të dy theksuan vendosmërinë e tyre për të vendosur partneritete të reja që do të forcojnë bashkëpunimin universitar.