Universiteti i Prishtinës lidh marrëveshje bashkëpunimi me Institutin Robert J. Dole dhe Universitetin e Kanzasit në ShBA
Audrey Coleman, drejtoresha e Institutit amerikan të Politikës „The Robert J. Dole” që funksionon në kuadër të Universitetit të Kanzasit, vizitoi sot Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.
Mysafirja e nderuar u prit nga rektori, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, ndërsa u shoqërua nga profesori i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore në UP, prof. Qëndrim Gashi.
Rektori Hajrullahu dhe drejtoresha Coleman, nënshkruan marrëveshje mes Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Kanzasit për bashkëpunim në fushat kulturore, edukative e shkencore.
Marrëveshja parashikon shkëmbime në fushat e hulumtimit shkencor, aktiviteteve kulturore dhe arsimore, si dhe bashkëpunim në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta. Ajo gjithashtu synon lehtësimin e shkëmbimit të përvojave, vizitave, materialeve akademike dhe informacioneve ndërmjet profesorëve dhe studentëve të të dy universiteteve.
Rektori Hajrullahu tha se është shumë i lumtur për marrëveshjen me Institutin Robert J. Dole dhe u zotua që Universiteti i Prishtinës do të bëjë gjithçka për të forcuar lidhjet dhe vlerat në të cilat bazohen të dy palët nënshkruese.
Drejtoresha e Institutit amerikan të Politikës Robert J. Dole, Audrey Coleman, tha se i jep kënaqësi të madhe mundësia e përdorimit të trashëgimisë së senatorit Dole për t’i ruajtur dhe përparuar marrëdhëniet tashmë të ndërtuara.
Në takim u përmend edhe vizita që senatori Robert Dole, bashkë me gjashtë kolegë të tij ia bëri Kosovës së okupuar më 29 gusht 1990. Drejtoresha Coleman vizitën e senatorit Robert Dole në Kosovë, 35 vjet më parë, e vlerësoi lart për mesazhet që dha, se liria e demokracia po vinin bashkë me respektimin e të drejtave të njeriut.