Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" shënon 20 vjetorin e protestës studentore të 1 tetorit të vitit 1997

Administrator Administrator 2 tetor 2017 Arkivuar

Protesta e 1 tetorit të vitit 1997 është përkujtuar me një ceremoni solemne organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

I pari i UP-së, prof. dr. Marjan Dema i konsideroi protestat e 1 tetorit të vitit 1997 si akt që thyen frikën, përderisa çmoi kontributin e studentëve të UP-së, profesorëve dhe rektorit historik Ejup Statovci, që kanë dhënë në rrugën e lirisë.

Ishte kjo protestë, e cila bëri bashkë studentët dhe profesorët drejt një qëllimi, qellim ky që e shoqëroi idealin e UP-së drejt së ardhmes. E madje edhe sot, e thëna e Rektorit Statovci se “Universiteti është me studentët dhe studentët janë të Universitetit” frymon në ideologjinë e UP-së.” tha Rektorit Dema.

Me tutje Dema paraqiti situatën e tanishme të UP-së, dy dekada pas këtij akti madhështor të historisë së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Vizionet që patëm dikur për liri e pavarësi, u kanë lënë vendin vizioneve të reja për avancim në mësimdhënie, kërkim dhe cilësi, zhvillim të burimeve njerëzore, zhvillim të sistemit e të infrastrukturës, globalizim dhe ndërkombëtarizim të UP-së.  E kjo, e tëra falë atyre që 47 vite më parë e ndërtuan UP-në, e tëra falë atyre që për 47 vite nuk e dorëzuan UP-në, por e ruajtën me fanatizëm vlerën e çmuar të tij, dhe sot ne po e bëjmë UP-në çdo herë e më të vlefshëm për fëmijët tanë.”

Dema u uroi këtë ditë të gjithë pjesëmarrësve të protestës në shtatë qendra të mëdha të Kosovës, të gjithë studentëve, profesorëve e qytetarëve patriotë. Ai tha që përkujtimi dhe respekti i tij veçanërisht shkon për familjet e studentëve dëshmorë si dhe për figurën e respektuar të rektorit Statovci.

Për nder të këtij përvjetori organizatorët e protestës që shënuan kthesë në historinë e Kosovës u dekoruan me medaljen “Urdhri i Lirisë” nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Çmimin “Urdhri i Lirisë në emër të presidentit Thaçi e ka ndarë këshilltari i tij Ismail Syla, i cili tha se ndihet i nderuar ta jap këtë çmim në 20 vjetorin e protestës së 1 tetorit të vitit 1997 dhe Lëvizjes Studentore.

“Sot kam nderin që ta lexoj para jush Urdhrin e Lirisë që i jepet Këshillit Organizativ të Universitetit të Prishtinës për kontributin e lartë të dhënë  për lirinë e Kosovës. 8’40” Është urdhri numër 2, që e jep kreu më i lartë i shtetit. Është çmimi dhe nderi më i lartë i Republikës të Kosovës”, u shpreh z. Syla.

Ndërkaq, në emër të organizatorëve të protestave ka folur Bujar Dugolli, i cili ka përkujtuar 323 studentët e rënë dëshmorë prej vitesh  duke thënë se shpreh mirënjohjen më të thellë për ta.

Dekani i Fakultetit Filozofik në UP, Bujar Dugolli u shpreh kështu:

“Në këtë 20 vjetor shprehim respektin tonë më të lartë dhe mirënjohjen tonë për dëshmorët tanë nga radhët e studentëve të UP-së që ishin pjesëtarë të Lëvizjes së Studentëve dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u flijuan gjatë viteve 1996-1999. Në këtë 20 vjetor dëshirojmë që përmes këtyre organizimeve të përçojmë mesazhin që liria e Kosovës dhe pavarësia e saj, erdhi me shumë mund dhe sakrifica”.

Në këtë akademi morën pjesë personalitete të ndryshme të jetës politike, institucionale dhe arsimore të Kosovës, ndërsa u shfaq një program artistik i përgatitur nga Akademia e Arteve.

Pas akademisë solemne në Kinemanë ABC në Prishtinë u bë shfaqja e filmit dokumentar kushtuar protestës së 1 Tetorit 1997 dhe Lëvizjes Studentore.

Ndryshe, aktivitet e UP-së për 20 vjetorin e protestës së 1 Tetorit do të vazhdojnë edhe dy ditë rresht,  me konferencën shkencore “Lëvizja Studentore në Kosovë dhe Protesta e 1 Tetorit 1997” dhe ekspozitën“1 Tetori përmes fotografive të kohës”.