Universiteti i Prishtinës forcon lidhjet me diasporën akademike përmes forumit „Bashkë në Shkencë”
Në hollin e Bibliotekës Kombëtare „Pjetër Bogdani” diaspora akademike kosovare, personeli mësimor, studentët e UP-së, zyrtarë institucionalë dhe përfaqësues të organizatave mbështetëse, u bënë bashkë për institucionalizimin e mëtejmë tëbashkëpunimit dhe orientimit të dijes drejt së mirës së përgjithshme.
Për këto qëllime, hapi punimet e tij Forumi „Bashkë në Shkencë: Universiteti i Prishtinës dhe Diaspora Akademike”, i organizuar nga Qendra për Studime të Avancuara e UP-së, me mbështjetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Shoqërisë Gjermane për Zhvillim Ndërkombëtar (GIZ).
Në fjalët përshëndetëse u vlerësua lart gjithçka që diaspora ka bërë në të gjitha etapat e çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës dhe iu kërkua pjesës akademike të diasporës që të vazhdojë ta ndihmojë Universitetin e Prishtinës dhe vendin e lindjes ose origjinës.
U theksua gjithashtu lidhja e gjithanshme dhe e pashkëputshme e UP-së dhe diasporës, duke u përmendur në veçanti projekti i menaxhmentit të universitetit me në krye rektorin, prof. Arben Hajrullahu, për kthimin dhe qarkullimin e trurit, sipas Rregullores për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar më 30 prill 2025 nga Senati i UP-së.
Universiteti i Prishtinës ka si mundësi të jashtëzakonshme dhe vazhdimësi të lidhjes me diasporën edhe UniversitetinNdërkombëtar Veror të Prishtinës që ka hapur thirrjen për profesorë në edicionin e tij të 26-të që do të zhvillohet në korrik 2026 dhe Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që gjithnjë ka mbajtur lidhje me shqiptarët gjithandej si p. sh. në Itali, Kroaci, Siri.
U përmend edhe Programi për Diplomaci Qytetare i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që sjell në Kosovë profesionistë të rinj nga diaspora, një pjesë e të cilëve kanë ndihmuar edhe UP-në në punët e përditshme. Shumë nga këta të rinj kanë vendosur të jetojnë në Kosovë. Universiteti i Prishtinës u cilësua edhe si urë lidhëse mes universiteteve dhe studentëve edhe të vendeve që ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Në pjesën hyrëse të forumit „Bashkë në Shkencë: Universiteti i Prishtinës dhe Diaspora Akademike”, folën rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, përfaqësuesi i Shoqërinë Gjermane për Zhvillim Ndërkombëtar (GIZ), Dardan Sadriu dhe drejtori i Qendrës për Studime të Avancuara e UP-së, prof. Gentrit Berisha.
Forumi do të vazhdojë punën gjatë gjithë ditës së sotme me kumtesa e diskutime, në të cilat do të përfshihen prorektorët, profesorët e studentët e UP-së dhe studiues, kërkues shkencorë e profesorë nga diaspora. Nesër është paraparë një takim në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës për konkretizim të bashkëpunimit dhe rrjetëzim.