Universiteti i Prishtinës dha 4 mijë e 400 euro për tetë punime shkencore dhe një konferencë të Fakultetit të Arkitekturës në 2025-ën

Universiteti i Prishtinës dha 4 mijë e 400 euro për tetë punime shkencore dhe një konferencë të Fakultetit të Arkitekturës në 2025-ën

Administrator Administrator 27 dhjetor 2025 Arkivuar

Gjatë vitit 2025 personeli akademik i Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës publikoi 8 punime shkencore dhe mori pjesë në 1 konferencë rajonale, me mbështetje financiare nga Universiteti i Prishtinës në shumën prej 4,400 eurove.

Fakulteti i Arkitekturës gjatë vitit 2025 zgjeroi bashkëpunimet e tij ndërkombëtare dhe si gjithmonë nuk u kufizua vetëm në zhvillim të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, por nëpërmjet projekteve të ndryshme ofroi zgjidhje kreative edhe për hapësirat publike, sidomos në kryeqytet.

Personeli akademik i këtij fakulteti publikoi 8 punime shkencore në revista të indeksuara në „Web of Science” dhe „Scopus”, prej të cilave 1 punim në kategoritë SCIE, SSCI dhe AHCI të „Web of Science” dhe 7 punime në kuartilin Q3 të „Scopus”-it.  Këto punime UP-ja i mbështeti me 4000 euro, ndërsa për pjesëmarrjen në një konferencë shkencore i dha edhe 400 euro.

Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës në qershor të vitit 2025 nga Programi Austriak ShER fitoi një grant për mbështetjen e programit të përbashkët të doktoratës të këtij fakulteti me Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit të Universitetit Teknik të Vjenës (TUW) në fushën e arkitekturës së qëndrueshme dhe planifikimit hapësinor.

Edicioni i sivjetmë, i katërti, i konferencës ndërkombëtare të Fakultetit të Arkitekturës IPAU 2025, iu kushtua pikërisht zhvillimit dhe vendosjes së bazave të forta të këtij programi të doktoratës, kërkimit shkencor dhe ekselencës akademike.

Gjatë dhjetorit u përmbyll projekti QILT, i fituar nga UP-ja në kuadër të Programit të Granteve për Mbështetje të Universiteteve (USGP) të financuar nga ambasada amerikane nën zbatimin dhe mbikëqyrjen e Kosovo United States Alumni (KUSA). Fakulteti i Arkitekturës, mes tjerash, në këtë projekt ndihmoi Komunën e Prishtinës me ide dhe plane konkrete për lirimin e trotuareve në qendër të kryeqytetit.

Në mars të 2025-ës, studentët e Fakultetit të Arkitekturës u renditën të dhjetët në botë në edicionin e nëntë të „Inspireli Awards 2024”, njërës nga garat më prestigjioze studentore ndërkombëtare në fushën e arkitekturës, dizajnit dhe inxhinierisë së ndërtimit.