Universiteti i Prishtinës anëtarësohet në rrjetin EDCH/DIAMAS të BE-së

Universiteti i Prishtinës anëtarësohet në rrjetin EDCH/DIAMAS të BE-së

Administrator Administrator 6 nëntor 2025 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës (UP) është tashmë anëtar i EDCH/DIAMAS, rrjetit evropian që synon forcimin e kapacitetit për botim akademik të modelit Diamond Open Access, duke promovuar botimin shkencor të hapur, të besueshëm, të qëndrueshëm dhe pa tarifa për autorët dhe lexuesit, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe UNESCO-s.

Ky anëtarësim vjen në një moment të rëndësishëm për UP-në, pasi në korrik 2025 është miratuar Rregullorja e re e botimeve, nëpërmjet së cilës produktet akademike të Universitetit — libra, revista shkencore dhe publikime të tjera do të botohen në formën Diamond Open Access.

Kjo nënkupton se stafi, studentët dhe publiku i gjerë do të kenë qasje të lirë dhe të pakufizuar në botimet e UP-së, ndërsa autorët nuk do të paguajnë asnjë tarifë për botim, por do të përkrahen nga UP-ja, sipas planit vjetor të botimit.

Anëtarësimi institucional i UP-së në DIAMAS u mundësua nëpërmjet revistës „Kosova Anthropologica”, e cila plotëson kriterin bazë të një reviste të publikuar në modelin Diamond Open Access.

Kryeredaktori i „Kosova Anthropologica” dhe anëtari i Këshillit të Botimeve të UP-së, prof. Arsim Canolli, e vlerësoi jashtëzakonisht të dobishëm anëtarësimin e Universitetit të Prishtinës në këtë rrjet akademik evropian. „Jemi shumë të lumtur që UP-ja tani është pjesë e DIAMAS-it. Përmes ,Kosova Anthropologica’ ne lobuam dhe siguruam anëtarësimin e UP-së në nivel institucional. Ky anëtarësim sjell dobi të shumta e ndër to edhe mundësitë për bashkëpunim me institucionet e BE-së në forcimin e kapaciteteve tona botuese”, deklaroi profesori Canolli

Si universitet publik me infrastrukturë kërkimore në zhvillim e sipër, ky anëtarësim në DIAMAS vendos UP-në brenda një kornize evropiane që vlerëson shkencën e hapur, botimin e drejtë e të qasshëm, si dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale për botim shkencor me cilësi të lartë. DIAMAS-i ofron platforma bashkëpunimi, modelet organizative të botimit, mbështetje teknike dhe qasje në iniciativa të përbashkëta trajnimi dhe zhvillimi.

Rektori, prof. Arben Hajrullahu, falënderoi prof. Arsim Canollin për angazhimin e tij të vazhdueshëm në zhvillimin dhe përmbushjen e misionit të UP-së dhe theksoi që ky anëtarësim është dëshmia më e mirë që me punë e angazhim mund të arrihet edhe ajo që në moment të parë mbase mund të duket se është vështirë e arritshme.    

Me këtë hap, Universiteti i Prishtinës rikonfirmon angazhimin e tij drejt një ekosistemi transparent, publik dhe të barabartë të dijes, duke e bërë shkencën më të hapur dhe më të dobishme për shoqërinë.