Universiteti i Kanzasit, Instituti Dole i Politikës dhe Universiteti i Prishtinës kanë kënaqësinë të shpallin një partneritet të ri për një epokë të re

Universiteti i Kanzasit, Instituti Dole i Politikës dhe Universiteti i Prishtinës kanë kënaqësinë të shpallin një partneritet të ri për një epokë të re

Administrator Administrator 26 gusht 2025 Arkivuar

Pak ditë para se të bëhen 35 vjet nga vizita historike e delegacionit të senatorëve amerikanë në Kosovë me në krye Robert J. Dole, më 29 gusht 1990, Instituti Amerikan i Politikës „Robert J. Dole” në Universitetin e Kanzasit dhe Universiteti i Prishtinës nëpërmjet një videoje shpallën nisjen e partneritetit dhe u zotuan për një epokë të re të bashkëpunimi.

Në video, drejtoresha e Institutit „Robert J. Dole”, Audrey Coleman, tregoi vlerat në të cilat do të bazohet partneriteti i afërt me Universitetin e Prishtinës. 

„Në nderim të asaj dite [29 gusht 1990] dhe vlerave të përbashkëta të shprehura gjatë takimit, duke ripohuar së bashku idealet më të larta të lirisë, demokracisë, pavarësisë, të drejtave dhe përfaqësimit të barabartë, ne jemi krenarë të njoftojmë një partneritet midis Institutit Dole për Politikë në Universitetin e Kanzasit dhe Universitetit të Prishtinës”, tha Coleman.  

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, në të njëjtën video, tregoi qëllimin e partneritetit mes dy institucioneve kosovare e amerikane të arsimit të lartë. 

„Ky partneritet do të nxisë shkëmbimin e vazhdueshëm të dialogut midis brezave të rinj të udhëheqësve të kombeve tona, të përkushtuar ndaj idealeve të njëjta dhe do të ndërtojë lidhje përtej dallimeve”, tha rektori Hajrullahu.  

Në video u paralajmëruan aktivitete të përbashkëta të Institutit „Robert J. Dole” dhe Universitetit të Prishtinës gjatë muajve në vijim. 

Senatori amerikan nga Kanzasi, Robert J Dole u kishte prirë gjashtë kolegëve të tij në një vizitë në Kosovën e atëhershme të okupuar, më 29 gusht 1990, kur në hotelin „Grand” ishte pritur nga dr, Ibrahim Rugova dhe liderët tjerë të lëvizjes kosovare për pavarësi. Pas asaj vizite, miku i madh i shqiptarëve kishte thënë „Liria po vjen, demokracia po vjen, të drejtat e njeriut po vijnë”. Një gjë që edhe ndodhi vërtet dhjetë vjet më vonë.

Universiteti i Prishtinës lidhi marrëveshje bashkëpunimi me Institutin Amerikan të Politikës „Robert J. Dole” dhe Universitetin e Kanzasit më 28 qershor 2025. Videon e plotë në lidhje me këtë bashkëpunim, mund ta ndiqni në vijim.