UDHËZUES për strategjinë e realizimit të aktiviteteve mësimore të mbetura të vitit akademik 2019/20 si pasojë e pandemisë COVID-19 (Propozim)

Administrator Administrator 19 prill 2020 Arkivuar

Bazuar në masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, në mbrojtje të shëndetit të studentëve, personelit akademik dhe jo akademik, familjeve dhe gjithë shoqërisë, në pamundësi të mbajtjes fizike të mësimit, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që nga data 17.03.2020 ka filluar zyrtarisht dhe po vazhdon me sukses mbajtjen e mësimit virtual. Megjithatë, për shkak të specifikave të caktuara të njësive akademike, përjashtim nga njoftimi për fillim të mësimit në formën virtuale bëjnë stafi akademik i Fakultetit të Mjekësisë, i angazhuar me punë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Institutin e Shërbimit Publik të Kosovës apo në qendrat e tjera spitalore, mbajtja e ushtrimeve laboratorike/klinike apo praktika e terrenit në njësitë akademike tjera të UP-së, ku mësimi është shtyrë për një periudhë të pacaktuar.

Duke marrë parasysh se tani ndodhemi në javën e nëntë të semestrit veror të vitit akademik 2019/20 dhe situata me pandeminë COVID-19 vazhdon të jetë serioze, Universiteti i Prishtinës është duke analizuar mundësitë e realizimit të aktiviteteve mësimore të mbetura, të përmendura më lartë. Për këtë qellim propozohet si në vijim:

- Njësitë akademike të analizojnë dhe zhvillojnë “Strategjitë dalëse” të tyre për implementim e aktiviteteve mësimore të mbetura nga plan programi mësimor sipas këtyre skenarëve :

  1. Skenari I: Kthimi në objekte deri me datën 15 maj 2020. Një pjesë të aktiviteteve mësimore të mbetura të realizohet nga distanca përmes platformës virtuale, derisa pjesa tjetër e aktiviteteve të zhvillohet në objektet mësimore.
  2. Skenari II: Kthimi në objekte deri me datën 1 qershor 2020. Një pjesë të aktiviteteve mësimore të mbetura të realizohet nga distanca përmes platformës virtuale gjatë muajit maj (aty ku është e mundur), derisa pjesa tjetër e aktiviteteve të zhvillohet në objektet mësimore gjatë dy javëve të para të muajit qershor 2020.
  3. Skenari III: Kthimi në objekte pas 15 qershor 2020. Të gjitha aktiviteteve mësimore të mbetura të realizohen nga distanca përmes platformës virtuale duke përdorur praktikat më të mira për lëndën përkatëse me qellim që studentet të njoftohen në mënyrë virtuale me përmbajtjen e kësaj pjese të lëndës.

- Realizimi i skenarëve të sipërpërmendur kërkon që afati i provimeve të qershorit të jetë fleksibil dhe mund të lëvizë sipas nevoje për çdo njësi akademike, por duhet të përfundoj më së largu me 20 korrik 2020.

- Strategjitë e propozuara duhet të marrin parasysh krijimin e mundësisë që studentët t’i nënshtrohen provimit nga lënda e caktuar duke marrë për bazë modifikimet në plan program, të cilat iu mundësojnë studentëve përfitimin e kompetencave të nevojshme pas përfundimit të nivelit të caktuar të studimit.

Me respekt,
Menaxhmenti i UP-së

Me respekt,
Menaxhmenti i UP-së

Vendimin zyrtar e gjeni KËTU.