„Udhëtimi Ynë i Përbashkët” — Vullnetarizmi si urë lidhëse mes studentëve me dhe pa nevoja të veçanta

„Udhëtimi Ynë i Përbashkët” — Vullnetarizmi si urë lidhëse mes studentëve me dhe pa nevoja të veçanta

Administrator Administrator 18 tetor 2025 Arkivuar

Në ambientet e Qendrës për Studentët me Nevoja të Veçanta në Fakultetin Juridik, zyrtarë të UP-së, përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe studentë, diskutuan për vullnetarizmin, ndihmën dhe lidhjet njerëzore mes studentëve me dhe pa nevoja të veçanta. 

Aktiviteti i quajtur „Udhëtimi Ynë i Përbashkët” u zhvillua me qëllimin e promovimit të përfshirjes, solidaritetit dhe fuqisë së vullnetarizmit në jetën universitare dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet studentëve me dhe pa nevoja të veçanta. 

Gjatë diskutimeve u vu në dukje se arsimi gjithëpërfshirës nuk është vetëm një qëllim institucional, por një vlerë që forcon komunitetin universitar dhe shoqërinë në tërësi. 

Në hapje të aktivitetit, znj. Ardita Kastrati, në cilësinë e moderatores, paraqiti para të pranishmëve një përmbledhje të historikut dhe zhvillimit të Qendrës për Studentët me Nevoja të Veçanta (QSNV). Ajo tregoi se Qendra është themeluar me qëllim të sigurimit të qasjes së barabartë në arsim dhe mbështetjes së studentëve me nevoja të veçanta nëpërmjet shërbimeve akademike, asistencës teknike dhe programeve të integrimit social. Qendra, sipas zonjës Kastrati, është shndërruar në një hapësirë bashkëpunuese solidariteti dhe diversiteti. 

Z. Bujar Kadriu, drejtor ekzekutiv i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar,  e vlerësoi lart vullnetarizmin e studentëve. „Përfshirja fillon me ndërgjegjësim. Kur studentët bëhen vullnetarë për t’i ndihmuar bashkëmoshatarët e tyre, ata jo vetëm që japin ndihmë, por krijojnë një kulturë respekti dhe dinjiteti brenda universitetit”, tha z. Kadriu. 

Z. Daut Tishuki, përfaqësues ligjor në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, tha se çfarëdo ndihme është shumë e nevojshme për ata që kanë nevojë. „Vullnetarizmi është ura që lidh aftësinë me mundësinë. Çdo akt ndihme, sado i vogël, ka fuqinë të ndryshojë përditshmërinë e një studenti me nevoja të veçanta”, tha ai.

Studenti Florian Zeka tha se e ka përjetuar personalisht mbështetjen nga kolegët. „Si student me nevoja të veçanta, unë e kam përjetuar drejtpërdrejt fuqinë e solidaritetit. Mbështetja e kolegëve më ka ndihmuar të ndiej që përkatësia është e mundur për të gjithë”, deklaroi Zeka. 

Erona Isufi, studente e vitit të parë në Fakulteti Ekonomik,tregoi përvojën e saj si vullnetare. Tha se „përfshirja në aktivitete vullnetare më ka mësuar se ndihma më e madhe nuk është gjithmonë materiale — është prania, dëgjimi dhe gatishmëria për të qenë pranë dikujt që ka nevojë”. 

Edhe kolegia e saj, Zoja Mustafa, studente e vitit të tretë nëFakultetin Juridik, foli për rolin e vullnetarizmit. „Vullnetarizmi në komunitetin studentor krijon lidhje të vërteta njerëzore. Ai na kujton se universiteti është më shumë se vend studimi — është një hapësirë solidariteti dhe mirëkuptimi”, tha ajo. 

Qendra për Studentët me Nevoja të Veçanta u themelua në prill të vitit 2024 falë bashkëpunimit të UP-së me Zyrën e Zëvendëskryeministrit të Parë, Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe UNDP-në, që ofroi pajisjet e nevojshme për këtë qendër.