Tryeza për Programin Kombëtar të Shkencës: Të zvogëlohet hendeku mes strategjive në letër dhe jetësimit të tyre në praktikë

Tryeza për Programin Kombëtar të Shkencës: Të zvogëlohet hendeku mes strategjive në letër dhe jetësimit të tyre në praktikë

Administrator Administrator 26 shtator 2025 Arkivuar

Drejtues të institucioneve publike të arsimit të lartë, Këshillit Kombëtar të Shkencës, Agjencinë për Akreditimin e Kosovës, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit u mblodhën në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës për të diskutuar rreth zbatimit të Programit Kombëtar të Shkencës. 

Duke hapur punimet e tryezës, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, tha se për inovacionin, kërkimin shkencor, por edhe çfarëdo çështje që provojmë ta avancojmë, në fillim duhet të dimë ku jemi dhe pastaj edhe nga po shkojmë. 

Rektori Hajrullahu konstatoi se është thelbësore për institucionet shtetërore dhe ato publike të arsimit të lartë që të zvogëlohet hendeku mes strategjive të shkruara në letër dhe jetësimit të tyre në praktikë, duke sugjeruar që strategjitë të mos jenë qëllim në vete. 

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës, prof. Muzafere Krasniqi-Limani, tregoi objektivat e Programit Kombëtar të Shkencës (2023 – 2028), me të cilët planifikohet avancim i kërkimit shkencor, lidhje të shkencës, ekonomisë e industrisë, ndërtim të kapaciteteve njerëzore për kërkime shkencore, ndërkombëtarizim dhe përsosshmëri e këtyre kërkimeve. 

Për ndërlidhjen e studimeve dhe universiteteve me industrinë dhe komunitetin, foli rektori i Universitetit „Haxhi Zeka” të Pejës, prof. Armand Krasniqi. Ai konstatoi se aktualisht as ndërmarrësit e as komuniteti nuk janë të përgatitur për një ndërlidhje të tillë. 

Në tryezë foli edhe drejtori i përgjithshëm i Agjencinë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, që tha se institucionet publike të arsimit të lartë duhet të ofrojnë programe studimore të përbashkëta. Gashi propozoi krijimin e zyrave për përgatitjen e projekteve nëpër universitete për të shfrytëzuar fondet, programet e projektet evropiane të arsimit të lartë. 

Edhe rektori i Universitetit „Ukshin Hoti” të Prizrenit, prof. Mentor Alishani, tha se asnjë universitet nuk mund të funksionojë si ishull, duke i cilësuar aleancat mes universiteteve një domosdoshmëri. 

Nga tryeza doli konstatimi i përbashkët i rektorëve të universiteteve publike se për të qenë të gjithë të barabartë në garë, institucionet private të arsimit të lartë duhet të funksionojnë si organizata jofitimprurëse. 

Tryeza u moderua nga rektorja e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë, prof. Mihone Kerolli, që ishte edhe ideatore e saj, ndërsa u organizua nga Konferenca e Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Shkencës dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.