Tri konferenca shkencore të mbështetura me 2700 euro nga UP-ja dhe shumë ngjarje kulturore të Fakultetit të Arteve gjatë 2025-ës

Tri konferenca shkencore të mbështetura me 2700 euro nga UP-ja dhe shumë ngjarje kulturore të Fakultetit të Arteve gjatë 2025-ës

Administrator Administrator 28 dhjetor 2025 Arkivuar

Gjatë vitit 2025 personeli akademik i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës mori pjesë në 3 konferenca shkencore (2 ndërkombëtare dhe 1 rajonale), me mbështetje financiare nga Universiteti i Prishtinës në shumën prej 2,700 eurove.

Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës edhe në vitin 2025 vazhdoi misionin e tij të organizimit, pjesëmarrjes dhe angazhimit në shumë aktivitete kulturore e artistike. Personeli akademik i këtij falkulteti zgjeroi e forcoi lidhjet me kolegët e tyre nga universitete të njohura rajonale evropiane dhe botërore.

Në korrik të vitit 2025 gjatë Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës nisi edicioni i dytë i Festivalit të Filmit Studentor „Upward” gjatë të cilit u shfaqën filma nga studentët e Fakultetit të Arteve dhe kolegët e tyre nga jashtë, si dhe u organizuan punëtori dhe diskutime rreth temave të ndryshme që lidhen me filmin.

Njëri nga kurset e Universitetit Veror që kishte të bënte me efekte speciale të filmave me buxhet të ulët u bashkorganizua nga profesorët Ricardo Spencer de Albuquerque nga Shkolla Profesionale e Formimit Audiovizual në qytetin Vigo të Spanjës dhe Blerim Gjinovci nga Fakulteti i Arteve të UP-së.

Sivjet u zhvillua edicioni i pesëmbëdhjetë i Chopin Piano Fest Prishtina 2025, i organizuar nga profesoreshat e Fakultetit të Arteve Lejla Haxhiu-Pula dhe Besa Luzha. Në të morën pjesë pianistë e artistë nga Kosova, Shqipëria, Polonia, Austria, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar, Sllovakia, Hungaria, Lituania, Kroacia, Luksemburgu, Italia, Franca, Kuba dhe Suedia.

Gjatë vitit 2025 personeli akademik dhe drejtuesit e Fakultetit të Arteve zhvilluan edhe vizita te homologët nga universitetet partnere, ndërsa pati edhe ekspozita dhe aktivitete tjera të përbashkëta.

Thuajse asnjë ngjarje e rëndësishme në Kosovë dhe në viset tjera me shqiptarë të Ballkanit Perëndimor (sidomos pjesa artistike e tyre) nuk organizohet pa angazhimin e profesorëve të Fakultetit të Arteve ose personaliteteve të dala prej tij. Profesori Shyqri Nimani e kaligrafoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008, ndërsa logoja zyrtare e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë u punua nga profesori Zeni Ballazhi.