Thirrje për aplikim: Konferenca shkencore ndërkombëtare për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës
Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik – Prishtinë, organizon konferencën shkencore “Kosova, 20 vjet liri dhe përpjekje”, për nder të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Qëllimi i kësaj konference është ndriçimi i zhvillimeve kryesore të lidhura me përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi gjatë shekullit të kaluar. Konferenca synon poashtu të sjellë studime teorike dhe shkencore, të cilat paraqesin informacione të rëndësishme për rrugën e lirisë, demokracisë dhe shtetit.
Pjesëmarrësit në konferencë do të kenë mundësinë të paraqesin, diskutojnë dhe debatojnë lidhur me temat që kanë të bëjnë me të.
Tezat bosht të konferencës janë:
(1) Rruga e Kosovës deri te liria;
(2) Zhvillimi dhe rindërtimi i vendit pas luftës;
(3) Përballja me të kaluarën;
(4) Pavarësia e Kosovës si zgjidhje kompromisi;
(5) Pozita e Kosovës pas vendimit të GJND-së;
(6) Identiteti i UÇK-së dhe i Republikës së Kosovës;
(7) Transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
(8) Roli i lëvizjeve studentore për lirinë e Kosovën;
(9) Roli i institucioneve shkollore, universitare, akademike dhe shkencore për lirinë e
Kosovës;
(10) Roli i politikës dhe diplomacisë për lirinë e Kosovës;
(11) Drejtësia ndërkombëtare dhe tranzicionale;
(12) Dëshmorët, viktimat civile, të zhdukurit dhe dhunimet;
(13) Ndihma amerikane dhe evropiane për lirinë e Kosovës;
(14) Mërgata shqiptare: kontributi i saj për Kosovën;
(15) Perceptimi psikologjik dhe social i konceptit të lirisë dhe nacionalizmit;
(16) Spastrimi etnik, migrimi dhe refugjatët e luftës;
(17) Metodat aktive të rezistencës civile në Kosovë;
(18) Roli i gruas ne shtetndërtim;
(19) Roli i shoqërisë civile dhe medies në shtetndërtimin e Kosovës;
(20) Përballja me pasojat ekonomike dhe kulturore, etj.
Secili pjesëmarrës do të ketë në dispozicion 10 minuta për paraqitje apo elaborim të kumtesës.
Kumtesat e prezantuara mund të shkojnë deri në katër faqe tekst, të shkruara në llojin e shkrimit Times New Roman, madhësia e germave 12 dhe largësi midis rreshtave me hapësirë 1.5.
Ndërkaq, punimet e konferencës do të botohen në një numër të veçantë të revistës shkencore “Buletini i Fakultetit Filozofik” me ISSN:0351-3750, formë e printuar. Formati i referencave dhe metodologjisë shkencore duhet të jetë sipas Chicago Style Citations, ndërsa punimi nuk mund të kalojë më shumë se 6000 fjalë.
Të interesuarit për pjesëmarrje në këtë konferencë duhet t’i dërgojnë kumtesat më së largu më 15 prill 2019, në adresën elektronike: [email protected] .
Klikoni KËTU për ftesën zyrtare.