Thirrje e Universitetit të Prishtinës për verifikimin e punimeve ndërtimore dhe aktiviteteve të dyshimta brenda kampusit
Universiteti i Prishtinës një herë më shumë u bën apel dhe thirrje, këtë radhë edhe publike, Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës dhe të gjitha organeve ligjzbatuese të vendit, që të verifikojnë lejen ndërtimore për shtesën e një objekti që u ndërtua natën, të shtunën, më 25 tetor 2025, në kampusin qendror të UP-së, pranë objektit të Administratës Qendrore.
Për punime të dyshimta në këtë pjesë të hapësirës së shfrytëzuar nga UP-ja, Inspekcioni i Komunës së Prishtinës ishte njoftuar edhe më 23 shtator 2025 dhe gjithashtu edhe më 25 tetor 2025, në natën kur u ndërtua me material të fortë shtesa e objektit, ndërsa drejtori i Inspekcionit bashkë me zyrtarë të UP-së dolën në vendin e ngjarjes të hënën, më 27 tetor 2025.
Gjatë raportimeve mediale më 31 tetor 2025, zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë thënë që ky objekt po rinovohet dhe do t’u shërbejë studentëve (Kronika e së premtes së 31 tetorit 2025 e lajmeve të orës 19 e 30 në T7, nga minuta 24: 45 deri te minuta 24:53). UP-ja fton Komunën e Prishtinës që ta sqarojë se si ky ndërtim po u shërbyeka studentëve?
Universiteti i Prishtinës fton organet përgjegjëse komunale dhe shtetërore që nëse shtesa e objektit e ndërtuar para katër ditësh nuk ka leje, ta rrënojnë atë dhe ta kthejnë gjendjen ashtu si ishte para shtatorit 2025. Për më shumë, në hapësirën ku u shtua ky ndërtim ka dyshime të bazuara se zhvillohen edhe veprimtari të dyshimta që mund të mos kenë leje dhe nuk përkojnë me aktivitetet që duhet të organizohen në një kampus universitar.
Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar që në hapësirat që shfrytëzon ta fuqizojë vazhdimisht mësimdhënien dhe kërkimin shkencor për të mirën e përgjithshme dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
(Lajmi është përditësuar më 3 nëntor 2025).
