Thirrje e përsëritur publike e UP-së për të gjitha organet ligjzbatuese

Thirrje e përsëritur publike e UP-së për të gjitha organet ligjzbatuese

Administrator Administrator 13 mars 2026

I shqetësuar tejmase me aktivitetet ilegale ndërtimore dhe biznesore mes Bibliotekës Qendrore Universitare dhe hapësirave te Instituti i Kimisë në kampusin qendror, personeli i Universitetit të Prishtinës edhe një herë më shumë u bën apel publik dhe thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të vendit, si p.sh. Prokurorisë së Shtetit, Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, që të ndalojnë aktivitetet ilegale dhe të krijojnë parakushte e siguri për Universitetin e Prishtinës që të mund të zhvillojë veprimtarinë e vet i papenguar.

Për punime dhe veprimtari ilegale në këtë pjesë të kampusit universitar, Inspekcioni i Komunës së Prishtinës ishte njoftuar nga zyrtarë të UP-së më 23 shtator 2025 dhe më 25 tetor 2025, ndërsa drejtori i këtij dikasteri komunal kishte dalë në vendin e ngjarjes tek më 27 tetor 2025, mirëpo pa ndërrmarrë asnjë veprim konkret dhe duke mundësuar aktivitetet ilegale ndërtimore e biznesore në kampusin qendror të Universitetit të Prishtinës.

Përkundër deklaratave zyrtare nga Komuna e Prishtinës, të cilat pretendonin se ky objekt po rinovohej për t’u shërbyer nevojave të studentëve (sic!; shih kronikën e datës 31 tetor 2025, nga minuta 22:40), realiteti në terren flet për veprimtari plotësisht të kundërt sesa të asaj për nevoja të studentëve. Në vend të një hapësire akademike apo sociale për studentët e Universitetit të Prishtinës, faqja zyrtare e subjektit në rrjetin social facebook e prezanton hapësirën e uzurpuar dhe objektin e ndërtuar ilegalisht në të si 'Zoe Hotel',  si një hotel luksoz ('boutique hotel') që synon klientelën e biznesit dhe turizmin urban (shih vegëzën).

UP-ja për këto zhvillime reagoi edhe atëherë kur nisi ndryshimi i gjendjes në terren, me një apel që organet ligjzbatuese të marrin masat e nevojshme.

Universiteti i Prishtinës një herë më shumë u bën thirrje organeve komunale e qendrore përgjegjëse që të merren me këtë rast flagrant të keqpërdorimit të hapësirave universitare për qëllime e veprimtari ilegale ndërtimore e biznesore.

Nëse institucionet ligjzbatuese vazhdojnë të mos veprojnë dhe të mos ndalojnë veprimtaritë biznesore dhe ndërtimet ilegale në kampusin universitar, Universiteti i Prishtinës e rezervon të drejtën e tij legjitime për të penguar qasjen e palëve të treta në hapësirat e tij.

Menaxhmenti i UP-së është i vendosur dhe ka shumë nevojë që të kthejë të gjitha pronat e uzurpuara të tij në të gjithë vendin, në mënyrë që ato hapësira e prona të vihen në shërbim të dijes, përparimit shoqëror dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Universiteti i Prishtinës, po ashtu, në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që në hapësirat e tij të ushtrohen veprimtari që janë në kundërshtim me misionin universitar të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe aktiviteteve studentore.