Thirrja për aplikim të studentëve në Programin certifikues ”Energjia e ripërtëritshme dhe qëndrueshmëria”
Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri e Universitetit të Prishtinës (QEQ) ju fton të bashkoheni në programin më aktual dhe më inovativ ndërdisiplinor në Universitetin e Prishtinës - programin certifikues të QEQ:
"Energjia e ripërtëritshme dhe qëndrueshmëria"
Studio disa nga sfidat më aktuale në botë - ndryshimet klimatike, qëndrueshmërinë energjetike, mbrojtjen e mjedisit dhe më shumë - me profesorë kryesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe nga jashtë. Programi do të ofroj kurse të fokusuara nga shumë fakultete. Të diplomuarit e programit do të marrin certifikatë universitare krahas diplomës së tyre bachelor apo master.
Të drejtë aplikimi kanë studentët nga të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës të cilët kanë të regjistruar së paku semestrin e dytë të studimeve bachelor si dhe të gjithë studentët e nivelit master. Programi fillon në semestrin dimëror të vitit akademik 2018/19.
Për të marrë certifikatën e veçantë universitare "Energjia e ripërtëritshme dhe qëndrueshmëria", studentët, brenda periudhës dy vjeçare, duhet të përfundojnë me sukses katër kurse nga lista e kurseve ndërdisiplinore të ofruara në QEQ, përkatësisht të fitojnë 20 kredi ECTS. Çdo kurs do të ofrojë pesë kredi ECTS të cilat do të llogariten si shtesë e kredive të fituara në kuadër të programeve përkatëse të diplomimit të studentit. Disa nga titujt e kurseve që do të ofrohen në kuadër të programit aktual certifikues janë: "Bazat e Energjisë së Ripërtëritshme", "Hyrje në Kiminë e Gjelbër", "Energjia dhe Ndryshimet Klimatike", "Energjia Diellore dhe Fotovoltaikët", "Bazat e Ligjeve Mjedisore" etj.
Tarifa e regjistrimit për programin certifikues është e njëjtë me tarifën semestrale për studimet e rregullta Bachelor (= 25 Euro).
Studentët e interesuar për programin certifikues, nga sot mund të plotësojnë formularin e aplikimit (të cilin mund ta shkarkojnë nga web faqja: qeq.uni-pr.edu) dhe ta dorëzojnë atë në internet-adresën: [email protected]. Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve të kompletuara është e martë, 15 maj 2018.
Aplikacionet do të shqyrtohen sipas radhës së paraqitjes. Në këtë program do të regjistrohen deri në 100 studentë.
Apliko tani!