Telegram ngushëllimi: Rektori Dema ngushëllon familjen Halimi
E respektuara familje Halimi,
Me pikëllim të thellë e pranuam lajmin që u nda nga jeta prof. dr. Halit Halimi.
Halimi ishte profesor ordinar në Katedrën e Frëngjishtes në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, punë të cilën e kreu me përkushtim deri në pensionimin e tij.
Jo vetëm si profesor, por në UP ai shërbeu edhe si anëtar i Komisionit për mësim pranë Rektoratit të Universitetit të Prishtinës në vitet 1994 - 96; shef i Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Frënge në vitet 1994-2009, si dhe anëtar i përkohshëm i Senatit të Universitetit të Prishtinës në vitet 2004-2006, funksione të cilat i kreu me nder e përkushtim.
Ai u mor edhe me studime nga fusha e linguistikës, duke lënë pas shumë punime e vepra me vlerë, e po ashtu u angazhua edhe në përkthime veprash nga gjuha frënge në atë shqipe, të cilat vazhdojnë t’u shërbejnë studentëve e studiuesve të kësaj fushe.
Andaj, më lejoni që në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, t’u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe studentëve të tij.
I paharruar qoftë kujtimi për profesor Halimin!
Me respekt,
Prof. dr. Marjan Dema - rektor