Takimi i rektorit me deputeten: Arsimi dhe UP-ja të kthehen në qendër të vëmendjes

Takimi i rektorit me deputeten: Arsimi dhe UP-ja të kthehen në qendër të vëmendjes

Administrator Administrator 31 mars 2026

Në një takim të rektorit, prof. Arben Hajrullahu dhe deputetes Sala Jashari, zëvendëskryetares së parë në Komisionin për Arsim, Shkencë e Teknologji të Kuvendit të Kosovës, u diskutua për çështjet që lidhen me avancimin e mëtejmë të Universitetit të Prishtinës dhe arsimit të lartë të Kosovës. 

Deputetja Jashari tha se dera e komisionit është e hapur për menaxhmentin e UP-së dhe arsimi duhet të kthehet në qendër të vëmendjes.

Gjatë takimit u diskutuan sfidat me të cilat përballet UP-ja, duke nisur nga cenimi i pronave të UP-së, buxheti i cekët i UP-së dhe konkurrenca e padrejtë me bartësit e arsimit privatë që funksionojnë si biznese e do të duhej të ishin organizata jofitimprurëse. Për më shumë, u diskutua edhe nevoja e integrimit të të gjitha institucioneve të arsimit të lartë nën ombrellën institucionale të Kosovës.

Rektori Hajrullahu apeloi për një bashkëveprim të institucioneve shtetërore me qëllimin e fuqizimit të UP-së, derisa konstatoi se pa Universitetin e Prishtinës nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Ai deklaroi se Universiteti i Prishtinës dhe drejtuesit e tij janë të hapur, të vullnetshëm dhe në shërbim të publikes.

Deputetja Jashari që tha se në politikë ka hyrë për shkak të arsimit, deklaroi se dëshira e saj është fuqizimi i UP-së, ndër të tjera, sepse ishte edhe vetë studente në këtë universitet.