Studiuesi nga diaspora në shkollën e UP-së „Warm UP”: E ardhmja e programeve të doktoratës përshtatja e vazhdueshme me industrinë
Në ditën e dytë të Shkollës Dimërore të UP-së „Warm UP” kërkuesi shkencor nga diaspora jonë akademike në Institutin e Luksemburgut për Shkencë dhe Teknologji (LIST), Adnan Imeri, në një ligjëratë online foli për doktoratat e bazuara në projekte, me bashkëpunim ndërkombëtar dhe të lidhura me industrinë.
Imeri prezantoi institucionin ku punon, duke e cilësuar inovativ dhe të kohës në të cilën po jetojmë dhe shumë të rëndësishëm jo vetëm për Luksemburgun. Ai vlerësoi se ky institut ka kapacitete dhe mundësi të bashkëpunojë me UP-në dhe njësitë akademike.
Hulumtuesi kosovar me përvojë e arritje ndërkombëtare, tha se në Kosovë po rritet sektori privat dhe lidhja me rrjetin e njerëzve të diasporës është ende e fuqishme. Imeri deklaroi se Kosova duhet të shfrytëzojë këto dy mundësi dhe përfitimet nga projektet evropiane, për ta fuqizuar kërkimin shkencor, por konstatoi se industria kosovare ende nuk është orientuar drejt projekteve të kërkimit e zhvillimit, me të cilat do të krijoheshin produkte të reja ose të përmirësoheshin ekzistueset.
Profesori Imeri që në institutin e Luksemburgut është pjesë e grupit të hulumtuesve për siguri kibernetike dhe rrjete të qëndrueshme kompjuterike, tha se doktoratat në të kaluarën kanë shërbyer vetëm për promovim akademik, por tash kjo gjë nuk i përgjigjet realitetit të shoqërisë.
Njohësi dhe publikuesi i shumë punimeve shkencore në fushën e blockchain-it, që përdoret me të madhe në shumë industri për rritje të transparencës, sigurisë dhe efikasitetit, konstatoi se tezat e doktoratës në kohën e tashme duhet të jenë makineri për inovacion dhe përparim të shoqërisë.
Sipas Imerit, doktoratat e bazuara në projekte duhet të kenë një mentor nga akademia, një bashkëmentor nga industria, një udhëheqës projekti që mbikëqyr përparimin dhe një komision këshilldhënës. Doktoratat e tilla, për t’i ikur fragmentimit të mundshëm të projektit, duhet të jenë të lidhura me industrinë, sektorin publik dhe universitetet.
Këto doktorata, deklaroi studiuesi Imeri, rrisin mundësinë e punësimit, pasi nuk duhet gjithsesi të gjithë doktorët e shkencës të punësohen në institucione të arsimit të lartë.
Shkolla Dimërore WARM UP – Winter Academy of Research Methods at the University of Prishtina nisi të mërkurën e 25 shkurtit me ceremoninë hapëse dhe një prezantim të programeve të doktoratës në Qendrën Ndërdisiplinare për Siguri, Qëndrueshmëri dhe Besim (SnT) të Universitetit të Luksemburgut nga profesorët e saj Markus Volp dhe Carlo Duprel.