Studentja e UP-së, Fjolla Kelmendi e argjendtë në Coimbra të Portugalisë

Administrator Administrator 25 korrik 2018 Arkivuar

Federata e Sporteve Universitare të Kosovës për herë të parë po merr pjesë në Lojërat Evropiane Universitare / EUG 2018, të cilat po zhvillohen në Coimbra të Portugalisë.

Në këto gara, studentja e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, xhudistja Fjolla Kelmendi ka fituar vendin e dytë në kategorinë -48kg.

Me këtë sukses, Kelmendi i solli sportit të Kosovës medaljen e parë nga këto gara. Ajo në gjysmëfinale mposhti xhudisten Cakmakli Melisa nga Turqia, ndërkaq në finale u ndesh me portugezen Catarina Martinz, duke fituar kështu medaljen e argjendtë në këtë kompeticion.

Për dekanin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në UP, njëherësh kryetarin e FSUNK-së, prof. Musa Selimin, paraqitja e Fjollës në këtë garë shënon një sukses të jashtëzakonshëm.  
“Fitorja e Fjollës dëshmon për vlerat e Universitetit dhe vendit tonë, të cilat jo vetëm Fjolla, por edhe shumë studentë tanë po i dëshmojnë kudo që po përfaqësohen në botë. Andaj, së bashku duhet të punojmë edhe më tepër që t’i mbështesim studentët në synimet e tyre” tha dekani Selimi.

Lojërat Evropiane të Universiteteve janë ngjarje sportive në të cilat marrin pjesë atletë nga shumë universitete evropiane, ku këtë vit numri i pjesëmarrësve në disiplina të ndryshme ka arritur në mbi 4500. Ky event organizohet çdo dy vjet nën ombrellën e Shoqatës Evropiane të Sporteve Universitare.