Studentja e UP-së emërohet Ambasadore në Samitin për Paqe “Southeast Europe Peace Summit”
Shkurte Hodolli, absolvente në Fakultetin Juridik të Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është emëruar Ambasadore e Paqes në Samitin për Paqe “Southeast Europe Peace Summit”, i organizuar nën patronatin e kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama. Përveç Shkurtes, në këtë Samit morën pjesë edhe 200 studentë të tjerë të UP-së, të cilët përfaqësuan Kosovën në këtë aktivitet.
E gjatë rrugëtimit deri tek ky sukses, Shkurta tha se dha kontribut në promovimin e vlerave dhe programeve të grupeve të ndryshme rinore, për të cilat thotë se ndihet krenare.
“Unë ketë çmim, përveç familjes time dhe të gjithë atyre që me kanë mbështetur deri me sot, ia dedikoj të gjithë vullnetarëve dhe studentëve që në një formë apo në tjetrën japin diçka nga vetja për të mirën e shoqërisë”, tha Shkurta. Ajo konsideron që përmes këtij titulli po u jap një motiv shtesë të gjithë të rinjve që aktivitetin e tyre vullnetar ta shtrijnë në fusha të ndryshme.

Në kuadër të punës vullnetare, Shkurta që nga janari i këtij viti është angazhuar si hulumtuese dhe zyrtare për marrëdhënie me publikun në Qendrën për të Drejtat e Njeriut të UP-së, e cila është themeluar për të përparuar studimin, njohjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe avokimin e ideve dhe projekteve nga kjo fushë.
Ne këtë Samit morën pjesë rreth 2000 delegatë nga rajoni dhe bota. Vlen të përmendet që Qendra për të Drejtat e Njeriut e UP-së, në kuadër të një partneriteti të shkëlqyer me Federatën për Paqe Universale - Kosovë, ka rezervuar dhe krijuar mundësinë që këta 200 të rinj dhe studentë të UP-së të jenë pjesë e këtij Samiti.
Për suksesin e shënuar në këtë Samit, Shkurten e kanë uruar edhe koordinatorja e Qendrës, prof. dr. Iliriana Islami, asistenti dhe koordinatori i projekteve, z. Adenit Hoti, si dhe pjesa tjetër e stafit, të cilët e vlerësuan lartë kontributin e saj.