Studentët mbajnë takim virtual me rektorin Dema, adresojnë kerkesat e tyre

Studentët mbajnë takim virtual me rektorin Dema, adresojnë kerkesat e tyre

Administrator Administrator 3 prill 2020 Arkivuar

Takimi i përmuajshëm “Kafe me rektorin” është shndërruar në takim virtual të rektorit me studentët, si rrjedhojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Rektori, prof. dr. Marjan Dema kërkoj nga studentët që të marrin masat e nevojshme për tu vetëmbrojtur dhe për të mbrojtur të tjerët nga pandemia COVID-19, ndërkaq i falënderoi ata për entuziazmin e treguar për të iu bashkuar mësimit virtual, duke e shndërruar këtë sfidë të mësimit virtual në një sukses për UP-në.

Studentët e pranishëm paten rastin që të bisedojnë rreth mësimit virtual, si dhe rreth ideve për aktivitete mbrojtëse nga pandemia e koronavirusit. Ata e vlerësuan faktin që rektori Dema vazhdon t’i takojë studentët dhe të jetë pranë kërkesave të tyre në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.

Gjatë këtij takimi, ndër të tjerash, u diskutua edhe për afatin e provimeve të prillit, i cili nuk do të realizohet në kuadër të kësaj faze të jashtëzakonshme, si dhe për mënyrën se si do të realizohen ushtrimet laboratorike e praktike në programet e ndryshme të studimit në UP, të cilat nuk mund të zhvillohen nga distanca.


Ndërkaq, prorektorja Merita Berisha, njëherësh drejtoreshë e Departamentit të Mjekësisë Sociale në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), informoi më tepër rreth masave mbrojtëse nga COVID-19 dhe veprimeve të marra nga UP-ja për parandalim dhe mbrojtje nga pandemia. Ajo zhvilloi edhe një pyetësor të shkurtër dhe në kohë reale me studentët, të cilët u pyeten se sa janë duke i praktikuar masat mbrojtëse nga koronavirusi, sa kanë njohuri për COVID-19, si dhe për atë se sa është duke u praktikuar mësimi virtual nga ana e tyre. Të gjithë studentët deklaruan që kanë njohuri për COVID-19, si dhe janë duke i aplikuar të gjitha apo disa nga masat mbrojtëse të rekomanduara për mbrojtje nga COVID-19.

Të pranishëm në takim ishin edhe prorektori për kërkime shkencore, prof. dr. Faton Berisha, dhe prorektori për mësim dhe çështje për studentë, prof. dr. Hysen Bytyqi.

Takimet e studentëve me rektorin janë takime të përmuajshme, gjatë të cilave diskutohet për tema të ndryshme që prekin cilësinë e jetës studentore në UP.