Studentët informohen për mundësitë e studimit në Francë

Administrator Administrator 27 mars 2019 Arkivuar

Nën moton “Të zgjedhësh Francën”, u mbajt sesioni informues për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët patën rastin që nga afër të informohen për mundësitë e studimit në Francë.

Para studentëve të interesuar, foli koordinatorja e Qendrës Universitare Frankofone, profesoresha Valbona Berisha. Ajo tha se studentët duhet të shfrytëzojnë mundësitë e shumta që ofrohen për vazhdim të studimeve në Francë, të cilat janë të mundura falë bashkëpunimeve që UP-ja ka me universitete atje dhe me anë të programeve të ndryshme në kuadër të BE-së.

Edhe atasheu i Ambasadës së Francës në Kosovë, Joseph Giustiniani, shpalosi arsyet se pse studentët e UP-së duhet të zgjedhin Francën për të vazhduar studimet e tyre.
“Franca është vendi i tretë për nga pritja e studentëve të huaj dhe shpenzimet për këto studime mbulohen nga shteti. Gjithashtu, studentët e huaj trajtohen njëjtë me studentët vendorë”, ka thënë ai.

Informatat praktike rreth aplikimit, jetës studentore dhe programeve të studimit në Francë i ofroi Zana Latifi nga Aleanca Franceze në Kosovë.

Se si është të jesh student i huaj në këtë vend të Evropës, tregoi përfituesi i bursës për studime të doktoratës, Noli Krasniqi. Ai tha se studenti i huaj në Francë është i barabartë me studentët e tjerë francezë.
Për të plotësuar rrëfimin e Nolit, detaje nga jeta studentore që zhvillohet në këtë vend treguan tri studente franceze. Përmes tregimeve të tyre, studentët patën rastin që të informohen detajisht se sa mirë dhe sfiduese është që të studiosh në “djepin e kulturës”.

Ky aktivitet është mbajtur në Fakultetin e Filologjisë, në kuadër të muajit të Frankofonisë, të organizuar nga Qendra Universitare Frankofone, në bashkëpunim me Aleancën Franceze dhe Ambasadën e Francës në Kosovë.