Studentët e UP-së bëhen pjesë e Garës Ndërkombëtare të Frankofonisë
Profesorët dhe studentët e Departamentit të Frëngjishtes në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” këtë vikend u bënë pjesë e një gare ndërkombëtare të frankofonisë, në kuadër të Muajit të Frankofonisë.
Për herë të dytë, Qendra Universitare Frankofone (QUF) e UP-së bëri që Kosova të garojë me 88 shtete të tjera në garën e leximit. Që nga ora 10:00 deri në 15:00, studentët tanë kishin për detyrë të përfundonin leximin e librit “Teodora e lumenjve” të autorit J-M Turine.
E ky libër, sipas profesoreshës Valbona Gashi–Berisha, njëherësh koordinatore e QUF-it, merret një ditë para se të fillojë kjo ngjarje. “Librin zakonisht e marrim një ditë para se të mbahet aktiviteti, kështu që leximi është spontan”, ka thënë prof. Berisha.
Të pranishëm në këtë aktivitet të mbajtur në Fakultetin Filologjik ishin edhe përfaqësues nga ambasada e Francës në Kosovë.
Qendra Universitare Frankofone është themeluar në shkurt të vitit 2018. Qe nga atëherë, kjo qendër ka organizuar aktivitete të shumta në funksion të promovimit të gjuhës frënge tek stafi dhe studentët e UP-së.