Studentët e Fakultetit të Arteve shfaqin filmat e tyre semestralë

Administrator Administrator 30 janar 2020 Arkivuar

Portretizimi i gruas në shoqëri, gjakmarrja dhe vetmia ishin disa nga temat që studentët e vitit të dytë të Regjisë së Filmit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” përzgjodhën për t’i trajtuar për provimin e tyre semestral.

Gjatë realizimit të filmave, gjashtë studentët ishin pjesë e klasës së profesorit, prof. ass. Ismet Sijarina, dhe asistentes, More Raça, të cilët u ndanë të kënaqur me punën e studentëve.

“Detyra të cilën është dashur ta kryejnë studentët ka qenë interesante sepse studentët kanë pasur tri elemente të ndryshme, mbi të cilat do të duhej ta ndërtonin filmin dhe ne jemi shumë të kënaqur me mënyrën se si ata i kanë realizuar filmat”, tha Raça.

Njëri ndër filmbërësit e ri, Indrit Ferati, para të pranishmëve, solli filmin “Gobleni i spanjolles me kitarë, frika nga merimangat dhe unaza e vjedhur”.

“Filmi ka trajtuar një grup të margjinalizuar. Kësaj radhe karakteri ka qenë drag queen dhe ndryshe nga filmat që jemi mësuar t’i shohim, ku një karakter i këtij komuniteti përfundon në duart e shoqërisë, përkundrazi Musa ik nga ta dhe përfundon në duart e shtetit”, rrëfeu Indriti.

Me këta filma, studentët e vitit të dytë shënuan përfundimin e semestrit të tretë.