Studentët dhe profesorët e UP-së nuk lejojnë të harrohen rrëfimet e dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe

Studentët dhe profesorët e UP-së nuk lejojnë të harrohen rrëfimet e dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe

Administrator Administrator 20 qershor 2025 Arkivuar

200 video-intervistat me 200 të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Madhe që 33 studentë dhe 3 profesorë të Fakultetit Filozofik të UP-së nga Departamenti i Antropologjisë dhe departamentet e tjera i zhvilluan në vitet 2021-2022, u bënë libra, për të mos harruar dhe për të mos lejuar përsëritjen e historisë.

Videoncizimet e të mbijetuarve të njërës nga masakrat më të mëdha të luftës së viteve 1998-1999, u përfshinë në dhjetë vëllime librash, me titullin „Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe".

Vëllimet e librit, ashtu siç ishte premtuar nga drejtuesit e projektit, iu dorëzuan të mbijetuarve të kësaj masakre dhe familjarëve të tyre, më 13 qershor, pranë Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe.

Kompletin e parë prej dhjetë vëllimesh, njërit prej të mbijetuarve ia dorëzoi profesori i Departamentit të Antropologjisë dhe udhëheqësi profesional i projektit, Arsim Canolli.

Profesori Canolli tha se të gjithë ata që u bënë bashkë për këtë projekt, janë këtu në Krushë për të çuar në vend fjalën e dhënë.

"Një prej kërkesave kryesore të familjeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, që kanë dhënë rrëfimet e tyre për dokumentim të kujtesës së masakrës, ka qenë ‘me na i rujtë e me na i dhanë intervistat’, tha profesori Canolli.

Ai tregoi edhe një arsye tjetër pse ishin te vendi i masakrës, në ditët kur shënohet çlirimi i Kosovës. "Sot, në muajin e festës së lirisë sonë, nuk duhet të harrojmë se ne kishim të drejtë, se Perëndimi kishte të drejtë", shpjegoi profesori Canolli.

Bashkë me të, në këtë projekt për ruajtje të kujtesës, ishin të përfshirë, përveç 33 studentëve, edhe profesorët e UP-së, Tahir Latifi e Shemsi Krasniqi.

Librat që dokumentojnë këtë krim të rëndë të luftës, dolën nga bashkëpunimi i Universitetit të Prishtinës me Bibliotekën Kombëtare "Pjetër Bogdani", Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sportit, Komunën e Rahovecit dhe me ndihmën e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.