Studentë dhe profesorë të Departamentit të Gazetarisë po marrin pjesë në Forumin Rajonal të Medias
Studentë dhe profesorë nga Departamenti i Gazetarisë janë duke marrë pjesë në forumin “FutureRise Media Forum”, i cili po i zhvillon punimet në Shkodër të Shqipërisë.
Në kuadër të projektit “Media2040: Fuqizimi i avokatëve të rinj për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, studentet e Departamentit të Gazetarisë: Era Rrmoku, Zana Pllana, Beneta Buja, Rijona Vojvoda dhe Erona Baliu janë duke u mentoruar për t'i realizuar objektivat e projektit nga profesorët: Alban Zeneli, Remzie Shahini-Hoxhaj, Muhamet Jahiri dhe Gëzim Qerimi.
Në këtë projekt po marrin pjesë mbi 50 profesorë dhe studentë nga fushat e gazetarisë dhe komunikimit nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Sarajevës, Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Universiteti i Novi Sadit, Universiteti i Malit të Zi dhe Universiteti “St. Cyril and Methodius” nga Shkupi.
Ky projekt synon të forcojë lirinë e shprehjes dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor dhe ka për qëllim t’i identifikojë dhe adresojë pengesat e lirisë së mediave, duke iu dhënë këtyre problemeve një zë të fuqishëm në sferën publike.
Në kuadër të punimeve pesëditore të këtij forumi, studentët nga të gjitha universitetet pjesëmarrëse, përmes një procesi interaktiv dhe gjithëpërfshirës, do ta zhvillojnë vizionin e tyre për sferën mediale dhe për ambientet, në të cilat dëshirojnë të punojnë në vitin 2040.
Projekti është mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës, përmes Fondit Rajonal për Bashkëpunim, programi MATRA, si dhe do të zgjasë deri në prill të këtij viti.