Stafi i UP-së, pjesëmarrës në trajnimin për qasjet inovative në edukim, në Poloni

Administrator Administrator 7 qershor 2019 Arkivuar

Menaxhmenti dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” morën pjesë në javën e shtatë të trajnimit të stafit në qasjet inovative në edukim, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Nysa të Polonisë.

UP-ja, në këtë aktivitet, u përfaqësua nga prorektorja për buxhet dhe financa, prof. dr. Myrvete Badivuku, prorektorja për zhvillim dhe cilësi, prof. dr. Merita Berisha, prodekanja për çështje mësimore në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës (FNA), prof. dr. Violeta Nushi, udhëheqësi i Katedrës së Urbanizmit në FNA, prof. dr. Dukagjin Hasimja, ligjëruesja në FNA Eliza Hoxha, administratori i qendrës së të dhënave, Hilmi Vardari, dhe këshilltari për karrierë në UP, Shkumbin Tafilaj. Delegacioni ynë u prit në takim nga rektori i universitetit polak dhe të tjerë nikoqirë.

Para dhjetëra shteteve pjesëmarrëse, përfaqësuesit e UP-së folën për mundësitë që ky universitet u ofron studentëve, për universitetin veror, për ditët e orientimit për maturantë e të tjera mundësi.

Kjo vizitë studimore u realizua për rritjen e zhvillimit të ekspertizës profesionale, ndërtimin e urave të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar dhe promovimin e shkëmbimit të studentëve dhe stafit përmes programit Erasmus +.

Përveç punëtorive dhe vizitave, në kuadër të aktiviteteve profesionale, u realizua edhe shkëmbimi i kulinarisë, ku UP-ja promovoi produktet vendore para pjesëmarrësve, duke iu dhuruar të gjithëve një shije të vendit tonë.