Sqarim i UP-së lidhur me depon e KEDS-it që po pengon largimin e shtyllës së tensionit të lartë dhe funksionalizimin e objektit të FBV-së

Sqarim i UP-së lidhur me depon e KEDS-it që po pengon largimin e shtyllës së tensionit të lartë dhe funksionalizimin e objektit të FBV-së

Administrator Administrator 3 dhjetor 2025 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës (UP) njofton opinionin publik se Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë sh.a. (KEDS), duke mos larguar materialet dhe depon e ndodhur nën linjën e tensionit të lartë në pronën e UP-së, është duke penguar largimin e shtyllës së tensionit të lartë nga afërsia e objektit ende të pashfrytëzuar të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV). Prona në fjalë është e dokumentuar si pronë e UP-së dhe pretendimet se ajo mund të jetë e kontestueshme nuk qëndrojnë. Për zhvendosjen e linjës së tensionit të lartë, UP-ja ka marrëveshje me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) si dhe gëzon mbështetjen nga të gjitha institucionet publike në vend.

Edhe pse UP-ja edhe zyrtarisht që nga 7 korriku 2025 ka kërkuar lirimin e pronës respektivisht zhvendosjen e depos, KEDS nuk e ka bërë lirimin e saj. Kërkesa për largimin e depos dhe materialit të ndodhur në të nga prona e UP-së, KEDS-it i është përsëritur në vazhdimësi, megjithatë gjendja në terren ka mbetur e pandryshuar.

Universiteti i Prishtinës konstaton me keqardhje se në pjesë të ndryshme pronat e universitetit janë nën atak të vazhdueshëm. Në këtë rast cenuesit e pronave të UP-së për më tepër se për një dekadë pamundësojnë zhvendosjen e shtyllës nga afërsia e objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe me këtë edhe shfrytëzimin e tij nga profesorët dhe studentët.

Universiteti numër një i vendit dhe përtej, kërkon ndihmën e të gjitha institucioneve, po edhe  të qytetarëve të Kosovës për mbrojtje të pronës, sepse një universitet gjithnjë e më i fuqishëm që po ndërtohet me punë të përditshme është në interes të shoqërisë, shtetit dhe zhvillimit ekonomik të gjithanshëm të tij.