Sqarim i Universitetit të Prishtinës në lidhje me disa shkrime mediale në të cilat u ngatërruan shifrat e kandidatëve për studentë
Në ditën e fundit të garës për t’u bërë student i nivelit të studimeve master në Universitetin e Prishtinës dhe në ditën kur përfunduan provimet pranuese për afatin e parë, në disa shkrime mediale dolën shifra të pasakta për aplikantët e këtyre dy konkurseve, ndërsa pati edhe tituj tendenciozë që pretendonin se po bie interesimi për të qenë student në UP.
Universiteti i Prishtinës ua bën me dije opininit publik dhe qytetarëve të Kosovës se numrat e publikuar të studentëve pretendentë për të studiuar në këtë institucion të arsimit të lartë, nuk përkojnë me realitetin.
Sipas të dhënave të fundit të operatorëve të Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve (SEMS) brenda UP-së, në të dy nivelet e studimit aplikuan hiç më pak se 8.588 persona.
- Në nivelin bachelor të studimeve kanë aplikuar 6.563 kandidatë për studentë;
- Në nivelin master të studimeve kanë aplikuar 2.025 kandidatë.
Gjithashtu në disa shkrime mediale u ngatërruan edhe kuotat e studentëve që planifikohen të pranohen në nivelin bachelor, me numrin e aplikantëve të cilët kanë aplikuar në nivelin master të studimeve. Për korrektësi dhe sqarim:
- Në programin e Fizikës, në nivelin bachelor, kanë aplikuar 20 kandidatë (jo 4);
- Në programin e Kimisë, në nivelin bachelor, kanë aplikuar 15 kandidatë (jo 3);
- Në programin e Biologjisë, në të njëjtin nivel, kanë aplikuar 36 kandidatë (jo 3).
Universiteti i Prishtinës siguron të gjithë qytetarët e Kosovës se vazhdon të jetë institucioni më i kërkuar për studime të të tri niveleve në Kosovë e më gjerë me cilësinë më të lartë të mësimdhënies, studimeve, kërkimit shkencor dhe ambientit akademik.
Universiteti i Prishtinës është më i madhi, më i vjetri e më i suksesshmi në Kosovë dhe i rendituri më së larti nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe të të gjitha viseve ku jetojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor dhe në botë.