SQARIM

Administrator Administrator 7 prill 2017 Arkivuar

Fakulteti Filozofik e sheh të arsyeshme të japë këtë sqarim për opinionin publik lidhur me disa artikuj të iniciuar nga zt. Arben Hajrullahu, kandidat në Fakultetin Filozofik, pozita nr. 1, në konkursin publik të Universitetit të Prishtinës për personel akademik të datës 24.11.2016.

Universiteti i Prishtinës ka shpallur konkurs për zgjedhjen e personelit akademik në fakultetet përkatëse më datën e lartcekur, i cili ka qëndruar i hapur 15 ditë dhe është mbyllur më datën 09.12.2016. Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë të interesuarit si nga brenda universitetit, ashtu edhe jashtë tij. Duhet thënë, që asnjë vend pune, përfshirë edhe pozitën për të cilën ka aplikuar zt. Hajrullahu, nuk është i shpallur për një person të paracaktuar. Nëse do të ishte kështu, kjo gjë do të ishte në kundërshtim me normat ligjore në fuqi. Në këtë kuptim, të gjithë kandidatët në konkurs janë të barabartë dhe vetëm (1) dorëzimi dhe kompletimi i plotë i secilit dokument i kërkuar me konkurs dhe (2) plotësimi i kritereve të kërkuara me Statutin e UP-së, mund t’i japë përparësi dikujt nga kandidatët. 

Për pozitën në fjalë, kanë kandiduar katër aplikantë dhe sipas dokumenteve të dorëzuara dhe të protokolluara rezulton që: 
- Arben Hajrullahu (i doktoruar dhe magjistruar në Universitetin e Vjenës; nuk ka dorëzuar diplomë të studimeve baçelor ose barasvlerën përkatëse të këtyre studimeve; ka dorëzuar më vonë pas mbylljes së konkursit një sqarim për sistemin e atëhershëm të studimeve në Austri, i cili nuk është i aplikueshëm, sepse kandidati nuk ka sjellë në Fakultetin Filozofik dokumente, që mbështesin kryerjen e studimeve themelore, brenda kohës së paraparë të aplikimit, e cila gjë kërkohet ligjërisht specifikisht me konkurs)
- Martin Berishaj (i doktoruar, i magjistruar dhe studimet themelore në Universitetin e Ljubljanës) 
- Arben Qirezi (i doktoruar në National University of Ireland, Galway; i magjistruar në Instituto Unversitario de Investigacion Ortega y Gasset, Madrim, Spanjë; studimet themelore në Universitetin e Prishtinës) 
- Abdylnaser Sinani (i doktoruar në Universitetin Shën Kiril i Metodi, Shkup; master dhe studime themelore në Universitetin Shtetëror të Tetovës).

Fakulteti Filozofik ka bërë punën e vet siç kërkohet me aktet normative në fuqi dhe në përputhje me udhëzimet e rektoratit të UP. Këshilli i Fakultetit Filozofik ashtu siç e kërkon procedura ka formuar komisionet vlerësuese për secilën pozitë, ka publikuar referatet në buletinet e UP për secilën pozitë veç e veç, duke përfshirë edhe pozitën për të cilën kanë konkurruar kandidatët e mësipërm. 

Referatet janë proceduar në Këshillin e Fakultetit Filozofik. Në këto raste fillimisht konstatohet, nëse kandidati/ja/ët kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm sipas konkursit. Në këtë rast, Këshilli i Fakultetit Filozofik ka konstatuar, se asnjëri nga kandidatët nuk i ka dorëzuar dokumentet e kërkuara me konkurs dhe ka rekomanduar përsëritjen e konkursit. Edhe njëherë: Këshilli i Fakultetit Filozofik nuk ka shqyrtuar kredencialet profesionale të secilit kandidat, meqenëse nuk janë plotësuar kushtet minimale të konkursit. Këto lëndë, ashtu siç e kërkon procedura, janë dërguar për shqyrtim në Komisionin e Studimeve të UP dhe më pas do të shqyrtohen në një nga mbledhjet e Senatit të UP për t'u marrë vendimi lidhur me secilën pozitë të shpallur. 

Pra, Këshilli i Fakultetit Filozofik dhe dekani i Fakultetit Filozofik nuk e kanë të drejtën as të shpallin, as të rishpallin konkurse, por vendimet për këto çështje i merr Senati i UP. Menaxhmenti i një fakulteti është i obliguar të respektojë procedurat dhe kërkesat e konkursit publik dhe të raportojë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme te menaxhmenti dhe Senati i UP për secilin kandidat, që ka aplikuar në konkursin publik. 

Fakulteti Filozofik nuk i prejudikon vendimet e organeve të tjera të universitetit, në këtë rast të Senatit të UP-së. Fakultetit Filozofik në Senatin e UP-së ka dy vota dhe do ta shfrytëzojë atë të drejtë, që të përkrahë kandidatët, që i plotësojnë kriteret e konkursit. 
Të gjithë kandidatët e paraqitur në konkurs gëzojnë respektin e Fakultetit Filozofik dhe vlerëson faktin, që ata kanë aplikuar të jenë pjesë e kësaj njësie akademike të UP-së.

Fakulteti Filozofik shpreh papajtueshmërinë e tij lidhur me precedentin, që po krijohet me rastin e aplikimit të zt. Hajrullahu. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Fakultetit Filozofik, por besohet edhe të Universitetit të Prishtinës, që kandidatët të tentojnë të realizojnë interesat e tyre personale, duke vënë nën presion të hapur medial dhe publik fakultetin dhe organet vendimmarrëse të universitetit. Secili kandidat ka të drejtë të ankohet, pasi organet vendimmarrëse të marrin një vendim zyrtar. Sidoqoftë, Fakulteti Filozofik nuk pajtohet, që mendimi i individëve ose grupeve shoqërore, pavarësisht respektit ndaj tyre, të zëvendësojë punën dhe vendimet e institucionit. Aq më tepër, kur raportime të caktuara janë të njëanshme dhe nuk pasqyrojnë të vërtetën e plotë lidhur me një çështje të caktuar. Fakulteti Filozofik gjen rastin të inkurajojë secilin individ, media ose grup interesi, për të ardhur dhe për t’u njoftuar me dokumentet e kandidatëve në Fakultetin Filozofik. Në fund, pavarësisht presionit dhe tendencës për krijim të njëanshëm të opinionit, Fakulteti Filozofik i siguron jo vetëm kandidatët, që kanë aplikuar në këtë pozitë, por edhe të tjerët që kanë aplikuar në këtë konkurs ose që do të aplikojnë në konkurset e radhës, që ata do të trajtohen në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe profesionale. 

Prishtinë, 07.04.2017