SHTETI FRANCEZ I DEKORON REKTORIN DEMA DHE PROFESORESHËN BERISHA ME MEDALJET E PALMËS AKADEMIKE
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, është nderuar sot me Medaljen e Palmës Akademike (Ordre des Palmes académiques), e dhuruar në emër të Presidentit të Republikës Franceze nga Ambasadorja e Francës në Kosovë, znj. Marie - Christine Butel. Medalja e Palmës Akademike iu dhurua edhe profesoreshës Valbona Berisha, koordinatore e Qendrës Universitare Frankofone (QUF).
Ky urdhër i lartë francez u është ndarë rektorit Dema dhe profesoreshës Berisha si shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë në përhapjen e gjuhës frënge në vendin tonë, në veçanti në UP.
Në fjalën e saj, ambasadorja Butel, në emër të shtetit të saj, i falënderoi rektorin Dema dhe profesoreshën Berisha për kontributin e dhënë për frankofoninë, teksa shtoi se shteti francez është i bindur që do mund të mbështetet tek ta në zhvillimin tutje të mësimit frëngjisht brenda UP-së.
“Duke pasur parasysh karrierën tuaj shembullore dhe vendosmërinë tuaj për të promovuar frankofoninë, ju meritoni që të shpërbleheni me këtë medalje”, tha ambasadorja Butel, pak çaste para se t’i dekoronte ata.
I lumtur me rastin e pranimit të kësaj medaljeje u shpreh rektori Dema, i cili theksoi se UP-ja është pasuruar edhe më shumë tani kur gjuha franceze mund të mësohet në të gjitha fakultetet e saj.
“Në cilësinë e rektorit, unë kam avokuar edhe te përfaqësues të tjerë të arsimit të lartë, në mënyrë që praktika e UP-së për mësim të frëngjishtes të përqafohet edhe nga universitetet tjera,” tha Dema, i cili njëherësh falënderoi ambasadoren Butel dhe Republikën Franceze për nderin qe i kanë bërë personalitetit të tij dhe universitetit.
Edhe profesoresha Berisha e falënderoi shtetin francez, fillimisht për mundësitë qe ia ka dhënë për kryerje të studimeve cilësore, për mundësitë për ngritje akademike në karrierë, si dhe tani, për dekorimin me këtë medalje. Ajo e falënderoi edhe rektorin për mbështetjen e dhënë në themelimin e QUF-it, si dhe kolegët nga fakulteti për bashkëpunimin e mirë.
Me iniciativën e profesoreshës Berisha dhe me mbështetjen e rektorit Dema, në vitin 2018, në kuadër të UP-së, është themeluar Qendra Universitare Frankofone, ndërkaq, tani UP-ja është anëtare e Agjencisë Universitare Frankofone në botë.
Medalja e Palmës Akademike është krijuar nga Napoleon Bonaparta në vitin 1808, për t’iu dhuruar figurave të rëndësishme të arsimit dhe të kulturës në Francë, kryesisht figurave eminente të Universitetit të Parisit. Që nga viti 1866 kjo dekoratë filloi t’u jepet të gjithë atyre që kontribuojnë për arsimin dhe kulturën franceze, përfshirë edhe të huajt që kanë ndikuar fuqishëm në ekspansionin e kulturës franceze në botë.