Shpallen konkurset për bursa të nivelit master dhe për programin njëvjeçar të Fakultetit të Arteve

Shpallen konkurset për bursa të nivelit master dhe për programin njëvjeçar të Fakultetit të Arteve

Administrator Administrator 21 nëntor 2025 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës shpalli konkursin për bursa të studimeve master për vitin akademik 2025/’26. Gjithashtu u hap edhe thirrja për bursat e këtij niveli të studimeve në programin njëvjeçar të Fakultetit të Arteve për vitin akademik 2024/’25.

Sipas konkursit, kandidatët që kanë të drejtë të aplikojnë për bursat master të këtij viti akademik, duhet të jenë studentë të rregullt të programeve dyvjeçare të regjistruar në vitin 2024/’25, të mos kenë ndonjë vit të përsëritur, t’i kenë kaluar të gjitha provimet e parapara në afatin e shtatorit të vitit akademik 2024/’25, ta kenë të regjistruar semestrin dimëror të vitit akademik 2025/’26 dhe të kenë notën mesatare jo më të ulët se 9.

Edhe studentët që kandidojnë për bursat e vitit të kaluar akademik në programin njëvjeçar të masterit në Fakultetin e Arteve, duhet të jenë të rregullt, të mos kenë vit të përsëritur të studimeve, t’i kenë të dhëna të gjitha provimet në afatin e shtatorit të vitit akademik 2024/’25, t’i kenë të regjistruar dy semestrat e vitit të kaluar dhe të mos kenë notën mesatare më të ulët se 9.

Bursa për studimet master të vitit akademik 2025/’26 dhe për programin njëvjeçar të Fakultetit të Arteve ka vlerën 700 euro.

Aplikimi për këto bursa bëhet nëpërmjet vegëzës sems.uni-pr.edu, duke filluar prej orës 10:00 të ditës së sotme (e premte, 21 nëntor 2025). Dy konkurset janë të hapura deri më 26 nëntor 2025 në orën 16:00.

Detajet e konkurseve dhe dokumentet që nevojiten për aplikim, mund t’i gjeni në këto vegëza:

Konkursi për bursa në studimet master të vitit akademik 2025/’26

Konkursi për bursa të studimeve master në programin njëvjeçar të Fakultetit të Arteve për vitin akademik 2024/’25

Universiteti i Prishtinës, më i madhi, më i vjetri dhe më i suksesshmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë dhe i rendituri më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe në Ballkanin Perëndimor dhe botë, duke vepruar në vazhdimësi me transparencë e meritokraci, i pret me kënaqësi aplikimet për këto bursa.