Shkolla „Warm UP”: Profesorët nga Luksemburgu prezantojnë punën inovative të Qendrës Ndërdisiplinare për Siguri, Qëndrueshmëri dhe Besim (SnT)

Shkolla „Warm UP”: Profesorët nga Luksemburgu prezantojnë punën inovative të Qendrës Ndërdisiplinare për Siguri, Qëndrueshmëri dhe Besim (SnT)

Administrator Administrator 25 shkurt 2026

Në një ligjëratë në kuadër të Shkollës Dimërore „Warm UP” të Universitetit të Prishtinës profesorët Markus Voelp dhe Carlo Duprel, prezantuan punën e madhe të Qendrës Ndërdisiplinare për Siguri, Qëndrueshmëri dhe Besim (SnT) në Universitetin e Luksemburgut, në dobi të teknologjisë, industrisë, dijes akademike, kërkimit shkencor dhe zhvillimit ekonomik të shtetit të tyre.

Gjatë ligjëratës, u tha se Qendra SnT pas 17 vjetësh funksionimi ka arritur të ndikojë dhe zhvillojë ekosistemin teknologjik të Luksemburgut, pasi të doktoruarit e saj tashmë kanë pozita të rëndësishme në këtë shtet. Njëri nga doktorët e shkencës së kësaj qendre drejton një nismë të rëndësishme që nxit përdorimin e teknologjisë te nxënësit e shkollave të mesme.

Profesorët treguan se qendra ku punojnë u përgjigjet nevojave industriale e teknologjike të Luksemburgut, duke mos i bërë të gjitha gjërat, por vetëm ato që janë të rëndësishme për këtë vend të vogël, por të zhvilluar ekonomikisht.

Për këtë qendër, sipas profesorëve Voelp e Duprel, procesi më i rëndësishëm është rekrutimi i profesorëve. Qendra funksionon me projekte të caktuara për industrinë ose institucionet qeveritare dhe për ato projekte përzgjedh profesorët që kanë dije e kompetenca për t’i përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Edhe bashkëpunimi i qendrës me industrinë është i rregulluar në atë mënyrë që kompania së cilës i intereson përfundimi i projektit, duket të financojë shkollimin e një studenti të doktoratës dhe 50 për qind të një kërkimi shkencor.

Buxheti për kërkimet shkencore bazohet në performancën e grupeve të kërkimit, te të cilat shpërndahet 33 për qind e buxhetit, gjë që nxit konkurrencën e shëndoshë dhe rezultatet kulmore. Pikë e dobët e qendrës SnT në Universitetin e Luksemburgut është pamundësia që bashkëpunimi me industrinë të shfrytëzohet për rritje të pagave të profesorëve për shkak të ligjeve shumë të rrepta qeveritare për këtë çështje.

Disa studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike kanë qëndruar në Qendrën SnT të Universitetit të Luksemburgut dhe të premten, më 27 shkurt, në ditën e fundit të edicionit të parë të Shkollës Dimërore „Warm UP” të Universitetit të Prishtinës do të tregojnë dijen e fituar atje nëpërmjet një kollokiumi.