Shkëmbimi i librave: Miqësia e dy profesorëve të Universitetit Veror shkon përtej kursit të përbashkët

Shkëmbimi i librave: Miqësia e dy profesorëve të Universitetit Veror shkon përtej kursit të përbashkët

Administrator Administrator 19 korrik 2025 Arkivuar

Profesori i Fakultetit të Sociologjisë në Universitetin e Bialystokut në Poloni, Maciej Bialous, që për herë të dytë është pjesë e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, thotë se i pëlqen që në kryeqytetin kosovar njerëzit takohen e flasin pëzemërsisht. Me kolegun e tij nga UP-ja, prof. Gëzim Selacin, nuk e kanë vetëm kursin e përbashkët, por tashmë edhe miqësinë. 

Të dy profesorët shkëmbejnë mendime edhe për interesimet e përafërta.

„E kemi bërë njëfarë shprehie me profesorin Bialous që të shkëmbejmë libra të letërsisë. Kësaj here ma ka sjellë një vëllim të tregimeve të shkurtra të autorëve polakë të përkthyer në gjuhën angleze. Tash edhe unë i jap diçka nga letërsia kosovare, letërsia shqipe. Pastaj i komentojmë veprat e dhuruara nga njëri-tjetri”, tregon profesori Selaci.

Ai thotë se njohja me profesorin polak ishte shumë e dobishme. „Kam pasur fatin që për herë të dytë brenda tri vjetësh të bashkëpunoj me të njëjtin profesor. Njohja me të për mua ka qenë pasurim ideor edhe kulturor. Është njëfarë pasurimi edhe i kulturës së gjerë. Është njohje kulturore reciproke”, shpjegon profesori i UP-së. 

Edhe profesori Bialous, i kthyer pas tri vjetësh mungese, ndihet mirë në Prishtinë, Universitetin Veror dhe mes profesorëve të UP-së. 

„Më pëlqen shumë të jem në Kosovë për herë të dytë. Prishtina është një qytet vibrant, plot njerëz që takohen dhe flasin. Universiteti juaj është më i madh se i imi dhe është më i madhi në gjuhën shqipe. Të gjithë profesorët janë të hapur dhe miqësorë. Jam shumë mirënjohës për mikpritjen”, thotë profesori Bialous. 

Bialous e Selaci që janë sociologë dhe bashkëdrejtojnë kursin në lidhje me rrëfimet dhe kulturën e kujtesës, pajtohen plotësisht se e ardhmja e universiteteve janë ligjëratat dhe programet e përbashkëta të studimeve. 

„Mendoj se në shumë vende në botë, akademikët po flasin për qasje ndërdisiplinare, gjë që është shumë e rëndësishme. Jam shumë i lumtur që studentët e kursit janë nga fakultete të ndryshme dhe studiojnë sociologji, psikologji, shkenca politike, letërsi, etj. Kështu mund të kemi diskutime vërtet interesante për disa çështje nga këndvështrime të ndryshme. Do të doja të kisha sa më përvoja të tilla”, thotë profesori polak. 

„Kjo është e ardhmja. Universiteti është një univers i disiplinave shkencore, shkenca është globale. Është një vetëdije njerëzore që i tejkalon kufijtë kulturorë e kombëtarë të çfarëdorshëm. Pashmangshëm universiteti është ndërkombëtar se ndryshe rrezikon të degjerohet në një shkollë provinciale”, thotë profesori Selaci.

Por a mund të ndihmojë kursi që po zhvillojnë dy profesorët rishikimin e së kaluarës, tejkalimin e traumave dhe pajtimin mes popujve të armiqësuar? 

„Ndonjëherë, traumat individuale janë aq të mëdha sa asgjë nuk ndihmon. Por ne fokusohemi në kujtesën kolektive dhe histori që mund të ndihmojnë jo vetëm për të kujtuar, por edhe për të harruar. E drejta për të harruar është thelbësore për të ecur përpara pas konfliktesh në të cilat fqinjët vranë njëri-tjetrin”, thotë profesori Bialous. 

Profesori Selaci përmend dy hapa, pa të cilët nuk mund të ecet përpara pas periudhave të luftërave, vuajtjeve e krimeve. 

„Përballja me të kaluarën dhe gjetja e së vërtetës janë dy provime të cilat duhet kaluar për ta ndërprerë ciklin e rikthimit të së keqes. Pa ndodhur këto dy procese, zor se do të mësojmë nga e kaluara dhe zor se do të dalim nga cikli i përsëritjes”, shpjegon profesori Selaci.

Të dy miqtë e mirë përmendin hebrenjtë si popullin që e ka orientim kombëtar dokumentimin e së kaluarës së dhunshme. 

„Në kulturën hebraike, fjala ,Zakhor’ përfaqëson detyrimin për të kujtuar. Ky është thelb i kulturës së tyre, një fjalë e vjetër që nga koha kur hebrenjtë u shpërndanë në të katër anët e botës, ndërsa kultura të tjera mund të jenë më pak të fokusuara në të kaluarën”, thotë profesori Bialous.

„Hebrenjtë janë shembull sesi dokumentohet historia e përvuajtshme e një populli. Një kohë të gjatë nëpër shekuj kanë jetuar si grupe të diasporës në pjesë të ndryshme të botës dhe gjithmonë për të ruajtur identitetin, kohezionin kombëtar që e kanë pasur, kanë qenë më të prirur ndaj dokumentimit, shkrimit e kështu me radhë”, thotë profesori Selaci.

Kolegu i tij polak vlerëson përballjen e fqinjëve të tij gjermanë me të kaluarën naziste. Por tregon se edhe atyre iu desh kohë për ta rishikuar historinë dhe pranuar të vërtetën. 

„Studimet akademike të kujtesës u zhvilluan në Gjermani në vitet 1980 (,Historiker Streit’), kur historianët diskutuan se si të tregohej historia e luftës. Ishte e rëndësishme, sepse ata i pyetën prindërit e tyre: ,Çfarë bëtë gjatë luftës?’ Ky vetëreflektim është mësimi kryesor: për të qenë moralisht në rregull me të kaluarën, duhet të shqyrtojmë jo vetëm fajin e të tjerëve, por edhe tonin”, thotë profesori Maciej Bialous.

Por profesori Gëzim Selaci fajin për të gjitha të këqijat ia lë përqendrimit të forcës së pakontrolluar te grupe të caktura të njerëzve. 

„Problemi është te forca e pakontrolluar dhe te shteti modern përqendrohet forcë e madhe, forca e pakontrolluar do të keqpërdoret nga dikush, sepse nuk mund të llogarisim në shpirtin e bardhë dhe të mirë të njerëzve”, thotë profesori Selaci. 

Ndërsa profesori Bialous mendon se rrëfimet e përkujtimet nuk mjaftojnë për ta ndryshuar botën. 

„Si akademikë, ç’mund të bëjmë? Mund të shpërndajmë dije, të inspirojmë veprim, ndoshta nëpërmjet organizatave joqeveritare. Por realisht, nuk kemi fuqinë të ndryshojmë botën vetëm me tregime ose përkujtime. Nëse do kishim, bota do të ishte më e bukur”, thotë Bialous. 

Të dy profesorët megjithatë gjejnë të përbashkëta historike mes Kosovës e Polonisë. 

„Ju jeni popull më i hapur se ne polakët, por kemi edhe ngjashmëri. Të dy popujt kemi përjetuar regjime socialiste gjatë shekullit XX dhe kjo na bën të ngjashëm”, thotë profesori polak. 

„Kultura polake është shumë e pasur. Ka ngjashmëri mes popullit polak dhe popullit shqiptar. Polakët për një kohë të gjatë nuk kanë qenë ta bashkuar, kanë qenë banorë të shteteve të ndryshme dhe aspiratat e tyre politike për krijimin e shtetit kombëtar i përngjajnë aspiratës shqiptare për të qenë një”,  thotë profesori Selaci.