Shënohen 50 vjet Universitet

Administrator Administrator 15 shkurt 2020 Arkivuar

Me një ceremoni solemne është përmbyllur “Java e Universitetit”, duke shënuar kështu 50 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

I pari i UP-së, prof. dr. Marjan Dema tha se ky tempull i dijes vazhdon të ketë rolin prijës në lëvizjet shoqërore për demokratizim, zhvillim dhe qëndrueshmëri.
“Sot kur mbush 50 vjet, Universiteti i Prishtinës krenohet që gjatë përmbushjes së misionit të tij përgjatë një historie të vështirë, herë-herë edhe në tehun e ekzistencës është shndërruar në bërthamën e shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Për këtë kanë kontribuuar breza të tërë studentësh dhe profesorësh, duke përvijuar e artikuluar vetëdijen dhe aspiratat kombëtare e shtetërore, dhe duke kultivuar frymën e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha rektori Dema.

Kryeparlamentarja e Kosovës znj. Vjosa Osmani tha se UP-ja e ka bartur barrën kryesore, jo vetëm të përgatis kuadro të arsimuara por edhe ta mbaj gjallë vetëdijen për kombin dhe shoqërinë.
“Ne sot kremtojmë 50 vjetorin e jetës dhe ditës së universitetit. Për historinë e popujve ndoshta 50 vjet nuk janë edhe shumë, por për institucionin nismëtar të arsimit të lartë, të parit në vend dhe të dytit në hapësirat shqiptare, 50 vjet janë 50 vjet përkushtim të rilindasve tanë për arsim dhe dije”, tha Osmani.

Këtë përvjetor e uroi edhe zëvendës kryeministri i Kosovës z. Haki Abazi, i cili tha që Universiteti i Prishtinës gjithmonë ka luajtur rol të rëndësishëm në formimin e shtetit tonë.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe rektori i Universitetit të Lubjanës, Igor Papič, i cili theksoi që është i lumtur për praninë e tij në këtë ceremoni edhe për faktin që 50 vite më parë, në ceremoninë e themelimit të UP-së, fjalë rasti kishte mbajtur edhe rektori i atëhershëm i universitetit që ai drejton. Përgëzime në përvjetorin e 50-të të UP-së përcolli edhe rektori i Universitetit të Tiranës, profesor Mynyr Koni, i cili vlerësoj lartë rolin e UP-së në arsimin shqip.

Ndërkaq, fjalën e studentëve në këtë ceremoni e adresoi kryetari i PS-së, Bledian Geci, i cili foli për rolin e rëndësishëm që studentët patën për universitetin dhe vendin.

Universiteti i Prishtinës u themelua 50 vite me parë sipas Ligjit mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës, më 18 nëntor 1969. Themelimi i UP-së ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.